E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fieri, rrëzohet kërkesa e PS

 

BLEDAR HOTI

Pas tri orë e gjysmë mbledhje, maxhoranca në KQZ nuk ka pranuar kërkesën e PS-së për të numëruar nëntë kutitë e mbetura në katër KZAZ-të e qarkut të Fierit. Çështja e 9 kutive, si dhe mos përfshirja e dy rezultateve në dy Qendrat e Votimit ka shkaktuar jo pak debate ndërmjet demokratëve dhe socialistëve në KQZ. Vendimi për shpalljen e rezultateve të qarkut të Fierit është marrë me katër vota pro të të djathtëve dhe 3 kundër të të majtëve. Ndërsa votimi është bërë në një situatë tensioni, ku anëtari Pandeli Varfi i ka rënë tavolinës në shenjë proteste për mosdhënien e fjalës. Kjo ndodhi gjatë rrëzimit të kërkesës së nënkryetares Subashi për marrjen në konsideratë të dy kutive në KZAZ numër 20. Kryekomisioneri Arben Ristani ka kontestuar ashpër qëndrimin e PS-së dhe të anëtarëve të saj, duke i cilësuar si përpjekje për delegjetimuar procesin dhe për të bërë pis zgjedhjet. “Tentativat për të anatemuar veprimtarinë e KQZ-së janë tentativa të padrejta për të bërë pis zgjedhjet, për të goditur sistemin. Janë tentativa për të thënë që Shqipëria nuk është e zonja për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë tentativa dashakeqëse, që na pengojnë në rrugën tonë”, tha Ristani. Por nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e ka cilësuar se KQZ-ja po vepron me dy standarde, duke vepruar ndryshe me KZAZ 39 të Lezhës, ku u numëruan votat e 6 kutive të Fushës-Kuqes. Ndërsa ndryshe po veprohet me këtë rast të Fierit. Subashi kërkoi se minimumi që duhet të bëjë KQZ-ja të përfshijë dy kutitë e QV-ve 3185 dhe 3188 të KZAZ 20, pasi rezultojnë të numëruara, por që nuk janë miratuar nga ky komision i nivelit të dytë. Një gjë e tillë sjellë që PS-ja të ketë mundësinë e marrjes së mandatit të nëntë të deputetit në qarkun e Fierit. “Në lidhje me deklarimin e fundit, zoti kryetar, se me këtë deklarimin tim u bëkan pis zgjedhjet, sigurisht që je në tejkalim të detyrës. Por unë dua t’ju bëj me dije se në pozicionin tim sigurisht që unë jap e nuk bëjnë pis zgjedhjet, këto argumente që unë jap i bëjnë pis zgjedhjet”, deklaroi Subashi. Dhe anëtari Pandeli Varfi ka kontestuar qëndrimin e Ristanit, duke theksuar se “kjo pisllekë është gjetur nga vendimet e marra nga KQZ”. Por kryekomisioneri Ristani ka shprehur qartë qëndrimin e tij, se nuk është e njëjta situatë me qarkun e Lezhës dhe nëse partitë kanë kontestime mund ta ankimojnë vendimin e KQZ-së. “Nuk ka dy standarde, ne kemi marrë vendim dhe iu kemi thënë që të plotësoni tabelën përmbledhëse të rezultatit, të cilën ata e kanë kryer duke marrë vendim. Duke qenë se atje në Fier ka një vendimmarrje, ligji thotë se ajo ankimohet së bashku me tabelën përmbledhëse të rezultatit në KQZ. Pra, këtu nuk ka dy standarde, rastet nuk qëndrojnë dhe nuk ngjajnë me njëri-tjetrin dhe ne jemi duke bërë një vendimmarrje korrekte, procedurale dhe ligjore”, tha Ristani. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj dhe Eno Bushi theksuan se vetë komisioni ka marrë vendim për numërimin e kutive të Fierit, por kjo nuk është pranuar më pas. Ndërsa demokratët në KQZ, Njazi Kosovrasti dhe Oerd Bylykbashi kanë deklaruar se edhe PD-ja ka pretendimet e saj për qarkun e Fierit, por presin vendimin për ta ankimuar atë. “Kjo është e vetmja mënyrë që mund të ndiqet, i kërkojmë edhe PS-së që të ndjekë një rrugë të tillë”, tha Bylykbashi. KQZ-ja ishte ndarë edhe me vendimin e marrë për votat e qarkut të Shkodrës. Katër anëtarët e djathtë votuan pro, ndërsa të majtët kundër. Ndërsa sipas burimeve pritet që PS-ja të ankimojë të parin vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultatit të qarkut të Beratit.

Platforma

Vendimi i KQZ për Shkodrën u
mor 4 me 3 vota

“Aleanca e Ndryshimit” 67.370 vota
“Bashkimi për Ndryshim” 40.922 vota
“Aleanca Socialiste për Integrim” 3.373 vota
“Poli i Lirisë” 4.014 vota
“Ligj dhe Drejtësi” 415 vota

Vendimi i KQZ-së për Fierin
u mor 4 me 3 vota

Nuk ka rezultate përfundimtare pasi nuk janë pasqyruar rezultatet e tabelës së KZAZ-së numër 3.

Vendimi i KQZ-së për shpalljen e vendimit të KZAZ numër 23 u mora katër me tre.

Propozimi i Subashit për përfshirjen e dy kutive të votimit QV 3185 dhe 3185 u rrëzua, me katër vota kundër dhe tre pro

debati ne kqz

Dëshira Subashi: Dua të sjell në vëmendjen tuaj lidhur me bllokimin e numërimit të KQV, një vendim të KQZ-së, i cili ka marrë votat e shtatë anëtareve dhe timin. KZAZ ka gabuar, ka shkelur ligjin zgjedhor, duke mos përfshirë kutitë e votimit. Në këto kushte që KQZ të llogarisë ndarjen e mandateve duhet të numërojë edhe 6 kutitë e tjera të votimit. Për të gjitha procedurat e tjera KQZ-ja ka mbajtur standard tjetër. Atje tabela nuk kishte kuorum, por KQZ-ja kishte kuorum. Vetë KQZ-ja mban dy standarde. Do t’ju kërkoj që minimalisht, dy QV-të që janë të numëruara të përfshihen në tabelën e rezultatit. Kërkesa ime e dytë është që të vazhdojmë të numërojmë fletët e votimit që janë në kuti.
Arben Ristani: Dua të sqaroj një problem të vogël nëse dëshiron nënkryetarja. A mund të më thoni ku qëndrojnë dy standardet?
Dëshira Subashi: Besoj se keni pas emocione? Standardi numër një është ajo që bëmë në Fushë-Kuqe, kur numëruam kutitë. Aty ku s’kishte kuorum.
Arben Ristani: Një minutë, kur s’ka kuorum s’ka vendim. Pra, pikërisht kur është se nuk kishte vendim. Më thuaj standardin dy.
Dëshira Subashi: Standardi dy është me të gjithë kuorumet e tjera.
Arben Ristani: Për vendimin e parë për Fierin ju kujtoj të gjithëve se keni votuar kundër.
Dëshira Subashi: Po, kam votuar kundër se ka qenë për zvarritjen e procesit.
Arben Ristani: Kemi tre problematike, Fushë-Kuqes, Fierit dhe disa të tjera. Ku ndryshon rasti i Lezhës me Fierin? Në Lezhë KZAZ nuk kishte bërë tabelë përmbledhëse të rezultatit dhe kishte lënë pa numëruar gjashtë kuti. Kemi rënë dakord me shtatë vota. Ndërsa në rastin e Fierit, KZAZ kishte marrë vendim. Prandaj këtu nuk ka fare dy standarde, rastet nuk qëndrojnë dhe nuk ngjajnë me njëri-tjetrin dhe ne jemi duke bërë një vendimmarrje korrekte proceduralisht dhe ligjërisht. Tentativat për të anatemuar veprimtarinë e KQZ-së janë tentativa të padrejta, për të bërë pis zgjedhjet, për të goditur sistemin. Janë tentativa për të thënë që Shqipëria nuk është e zonja për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë tentativa dashakeqëse, që na pengojnë në rrugën tonë.
Genc Gjonçaj: Mund të flas.
Arben Ristani: Nuk mund të flisni më për këtë çështje.
Dëshira Subashi: Me këtë deklarimin e fundit zoti kryetar, me këtë deklarimin e fundit u bëkan pis zgjedhjet, sigurisht që je në tejkalim të detyrës. Por unë dua t’ju bëj me dije se në pozicionin tim sigurisht që unë jap nuk i bëjnë pis zgjedhjet, këto argumente që unë jap i bëjnë pis zgjedhjet.
Pandeli Varfi: Duhet të përfshihen dy kutitë në rezultatin e Fierit. Ato që tha kryetari besoj se nuk më bëjnë të lumtur këtu, që një palë ose disa njerëz, ose një njeri i vetëm kërkon të bëjë pis, nuk janë korrekte në deklarime në KQZ. Nëse ne duke folur këtu heqim pa dashje apo pa dashje heqim gazetën që mbulon pisllëkun nuk është faji jonë. Nuk jemi ne që e bëjmë pis, është pis pa duket.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›