“Kompensimi, 1630 ha për Tiranën”
BLEDAR HOTI
Drejtori i ri i Zyrës Rajonale të KKP-së për Tiranën, Patriot Çobaj shprehet se aktualisht po punohet edhe për kompensimin fizik të ish-pronarëve, ku për qarkun e Tiranës janë vënë në dispozicion 1630 ha tokë disponibël tokë shtetëror dhe 2300 ha pyje dhe kullota. Çobaj, si një nga ekspertët e kësaj fushe, nisi detyrën më 23 dhjetor si drejtor i komanduar, ndërsa më 8 janar zyrtarisht u emërua si Drejtor i Zyrës Rajonale të KKP-së për Tiranën.
Z. Drejtor, sapo keni marrë detyrën në KKP-në të Tiranës, cilat janë veprimet e para që keni ndërmarrë pas situatës së krijuar?
Zyra Rajonale e KKP-së të qarkut Tiranë, stafi i saj, është i angazhuar dhe po punon për sigurimin e një ecurie normale në të gjitha aspektet e aktivitetit të saj administrativ e ligjor, në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë funksionimin e saj dhe zgjidhjen e drejtë të çështjeve të pronësisë ndaj subjekteve të shpronësuara. Kështu në mënyrë të përmbledhur, disa nga realizimet dhe synimet, në funksion të mbarëvajtjes dhe zgjidhjes së problemit të pronave për qarkun e Tiranës kanë të bëjnë me: 1)Në kërkesën për zbatimin me korrektësi të procedurave ligjore, për njohjen e pronës së pretenduar; b) Në hetimin e plotë administrativo-ligjore të dokumentacionit të pronësisë, për t’i dhënë mundësinë e njohjes së pronës, kthimit apo kompensimit të saj realisht ish pronarëve, duke u prerë rrugën tendencave dhe qëndrimeve abuzive me pronën; c) aktivizimin e dosjeve të hapura në vitet e mëparshme(1994-2008), të cilat kanë qëndruar pa u trajtuar, duke u dhënë shanse të barabarta gjithë subjekteve që kërkojnë njohjen e pronës së tyre. Do përqendrohemi dhe në përmbushjen e detyrave për vlerësimin e kërkesave të subjekteve për kompensimin monetare dhe atë fizik, sipas kritereve të përcaktuara në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Si po vazhdon puna në lidhje me dosjet e reja të hapura brenda dhjetorit 2008?
Në respektimin e afatit ligjor të përfundimit të procesit të aplikimit për hapjen e dosjeve të reja deri më 31 Dhjetor të vitit 2008 dhe të Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, Nr.4793, datë 02.07.2008, u organizua puna për përballimin e pritjes së një fluksi të madh të qytetarëve që aplikuan për njohjen e së drejtës së pronës. Duhet theksuar se vetëm gjatë 2 muajve të fund vitit, nëntor-dhjetor u hapën 500 dosje të reja dhe në mënyrë të veçantë. Vetëm gjatë javës së fundit të muajit 23-31 dhjetor 2008 u hapën rreth 80% e tyre. Kjo procedurë përfshin dhe ato raste të nisura me rrugë postare. Një ritëm i tillë dhe shkallë e organizimi e punës sonë ka vazhduar gjatë gjithë kësaj periudhe të fillim viti për pritjen e subjekteve për riaktivizimin e dosjeve të vjetra, si dhe plotësimin e dosjeve të reja të hapura në muajin Dhjetor 2008, për të cilat jemi duke punuar për sistemimin e tyre me dokumentacion dhe trajtimin në grupe pune. Krahas këtyre me vëmendje të veçantë kemi trajtuar kërkesat dhe ankesat e subjekteve të shpronësuara për aktivizimin dhe futjen në proces trajtimi të dosjeve të quajtura të vjetra, apo atyre të hapura gjatë viteve të mëparshme. Qëllimi i kësaj procedure të ndjekur ka qenë ajo e trajtimit të barabartë të kërkesave të qytetarëve, duke nxitur sigurimin në kohë të informacionit të kërkuar, pa bërë dallime dhe prioritete në këtë drejtim. Sipas të dhënave statistikore që kemi si Zyre Rajonale, janë rreth 500 dosje, që mbarten nga periudha 1994 – 2007, dhe 950 të tjera që i përkasin vitit 2008. Pra në total janë për t’u trajtuar rreth 1450 dosje për qarkun e Tiranës, nga të cilat 1200 dosje ose mbi 80% e tyre janë futur në proces trajtimi. Pjesa tjetër e tyre do të futet menjëherë në procesin e trajtimit me plotësimin e kuadrit specialist, që aktualisht është i paplotësuar.
A ka ndonjë afat për dhënien e vendimeve nga ana AKKP-së për këto dosje?
Natyrisht që nga ana e stafit ka dëshirë për të punuar edhe jashtë kohës normale të punës, për të përshpejtuar ritmin dhe realizimin e përmbylljes së çdo dosje në afatin ligjor të përcaktuar, por në raport me numrin e përgjithshëm të dosjeve dhe ngarkesën që mund të përballojë çdo specialist, si dhe kërkesat e kthim përgjigjeve me institucionet e treta, është e nevojshme që numri i punonjësve duhet të jetë më i lartë, dhe kjo veçanërisht e profilit jurist dhe topografë. Lëvizjet e specialisteve dhe largimet e një pjese të tyre, për shkaqet që janë bërë tashmë të njohura edhe në organet e masmedias, kanë ndikuar në ecurinë e problemeve gjatë kësaj periudhe, gjë për të cilën i jemi përkushtuar punës për stabilizimin dhe normalizimin e aktivitetit të kësaj Zyre, duke i kushtuar një vëmendje dhe kujdes të veçantë trajtimit të kërkesave të subjekteve dhe zgjidhjes së kërkesave operative që kanë qytetarët. Ne po synojmë të ecim në një procedurë transparente, në lidhje me trajtimin e dosjeve që janë paraqitur.
Si do të veprohet me çështjet e kompensimit financiar dhe atij fizik për vitin 2009?
Puna e bërë për mbylljen e procesit të kompensimit monetar për vitin 2008, ku vetëm gjatë javës së fundit të muajit dhjetor u trajtuan dhe u vlerësuan nga ana ligjore kërkesat e 198 subjekteve, të cilat janë trajtuar sipas gjithë procedurave ligjore, duke kaluar në të gjitha shkallët hierarkike në institucion dhe më pas janë përcjellë pranë AKKP-së në qendër. Kjo na krijon mundësinë për trajtimin në kohë dhe në afat të kompensimit të radhës për vitin 2009, duke u dhënë mundësinë edhe atyre subjekteve që nuk janë kualifikuar për mangësi në plotësimin e dokumentacionit apo për të bërë saktësimet e duhura për vendimet që kanë aplikuar. Në këtë kuadër do të trajtoja edhe punën që kemi filluar për sistemimin e informacionit të siguruar për krijimin e Fondit Fizik te Kompensimit. Për këtë qëllim, në zbatim të Vendimeve përkatëse të KM-së, në bashkëpunim me Zyrën e SAMT-ës në Qarkun e Tiranës, me Drejtorinë përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë po punohet për konfirmimin dhe verifikimin e sipërfaqes së tokave disponibël shtetërore prej 1630 ha dhe me Ministrinë e Mjedisit për fondin pyjor e kullosor të mundshëm për kompensim prej rreth 2300 ha, lidhur me numrat e pasurisë së parcelave brenda zonave kadastrale dhe sipërfaqen përkatëse të tyre sipas gjendjes që figuron në dokumentacionin zyrtar të SAMT-es dhe konfirmimin në ZVRPP për statusin juridik të këtyre parcelave.