E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiket legjenda e modës Yves Saint Laurent



Yves Saint Laurent, një ndër figurat legjendare të botës së modës ka vdekur në Paris në moshën 71-vjeçare. Saint Laurent i ndryshoi fytyrën industrisë së modës kur u bë (stilisti numër një) i Dior-it në moshën 21-vjeçare. I lindur në Algjeri, në kohën kur vendi ishte ende koloni franceze, ai iu bashkua firmës Christian Dior në Paris në vitin 1954. Ai e mori drejtimin e firmës me vdekjen e Dior-it tri vjet më pas. Rrobat e stilistit vishen nga të famshmit dhe të pasurit, por ato në të njëtën kohë ndihmuan për të revolucionarizuar atë që veshin femrat sot. Yves Saint Laurent shfaqi talent të hershëm. Në moshën 18-vjeçare, ai fitoi një konkurs për dizajnim fustanesh, gjë që i tërhoqi vëmendjen Christian Dior-it.
Ai krijoi veshje që reflektonin ndryshimin e rolit të gruas në shoqëri: me më shumë vetëbesim në jetën personale dhe në vendin e punës. Veçanërisht të suksesshme ishin tuxedot e stilistit, dizajnot e tij etnike dhe ato të frymëzuara nga bota e artit. Ai u tërhoq nga haute couture në vitin 2002 dhe ishte i sëmurë prej disa kohësh. Franca ka humbur jo vetëm stilistin e vet më të madh, por dhe një ikonë kulturore. I përqeshur që në kohën kur ishte në bankat e shkollës si homoseksual, stilisti i madh vuajti nga shëndeti i lig mendor e fizik për pjesën më të mirë të jetës dhe në publik u shfaq rrallë. Por ndikimi i Yves Saint Laurent do të ndihet për shumë vite në vijim në botën e modës. Duke i bërë homazh stilistit, presidenti francez Nicolas Sarkozy, tha se ai ishte i pari që e ngriti modën e lartë në nivelin e artit, gjë që i dha atij ndikim në mbarë botën. Saint Laurent veshi disa nga gratë më të famshme të botës, mes tyre aktoret Catherine Deneuve dhe princeshën Grace të Monaco.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›