Braun i kërkon gjykatës ndryshim e Trupit Gjykues
TIRANË - Britaniku David Braun, i cili akuzohet nga Prokuroria për “abuzime seksuale” me disa të mitur të qendrës “Fëmijët e tij”, në Tiranë, ka kërkuar në seancën e fundit në gjykatë, ndryshim të trupit gjykues. Kjo është e para herë që anglezi kërkon një gjë të tillë. Në seancën e mëparshme ai kërkoi nga trupi gjykues të merrte parasysh faktin se ai ishte impotent gjë që po shqyrtohet nga gjykata, por dje ai ka bërë një kërkesë tjetër.
Pretendimi
Braun ka pretenduar në seancën e fundit se “gjykata po tregohet e njëanshme gjatë gjykimit” dhe për këtë ka parashtruar si kërkesë edhe ndryshim të kësaj treshe gjykuese dhe zëvendësimin e saj me të tjerë gjyqtarë. Tashmë do të jetë një tjetër gjyqtar që do të marrë në shqyrtim kërkesën e shtetasit anglez, dhe do të vendosë për pranimin apo jo të saj. Procesi ndaj Braun vazhdon të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të dëshmive të dhëna para gjykatës nga fëmijët e abuzuar. David Braun u vu në pranga në maj të vitit 2006, pasi u akuzua se së bashku me dy bashkatdhetarët e tij Dino Kristodoulu dhe Robin Arnold, të cilët u ekstraduan dy javë me parë nga Britania kanë dhunuar seksualisht rreth tetë të miturit të strehuar në qendrën “Fëmijët e tij”.
Deklarata
Anglezi që akuzohet për abuzim me të miturit deklaroi pak ditë më parë para trupit gjykues se është impotent dhe nuk ka përdhunuar fëmijët të cilët e akuzojnë. Seancat e mëparshme gjyqësore janë zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërkohë që vetë i pandehuri ka kërkuar të japë një deklaratë përpara togave të zeza të kryesuara nga gjyqtari Gerd Hoxha. Në këto seanca kanë dëshmuar të gjithë të miturit që pretendohet se ka abuzuar Braun. Ndërkohë që prokuroria i ka vënë në dispozicion gjykatës edhe disa fotografi, të cilat i janë bërë fëmijëve si dhe ekspertiza mjekoligjore në të cilat vërtetohet që këta të fundit janë abuzuar seksualisht. Do t’i takojë gjykatës që të verifikojë nëse Braun është apo jo impotent ashtu edhe siç ka pretenduar në seancën e para pak ditëve në ngarkim të tij. Deklarata e bërë i pandehuri ka ardhur menjëherë pas katër dëshmive të bëra nga fëmijët të cilët ishin dhunuar seksualisht prej tij. Fëmijët kanë treguar tmerret e përjetuara prej Braun si dhe mënyrën që ndiqte për të kryer marrëdhënie me ta.
3 Qershor 2008