“Gërdeci”, ndjekje penale 4 personave për abuzime
Tiranë - Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime në lidhje me shpërdorime në vlerësimin e banesave të dëmtuara në zonën e Gërdecit, pas shpërthimit të 15 marsit të këtij viti. Burime të prokurorisë thanë se do të procedohen penalisht katër personat e grupit të dytë të vlerësimit të banesave, pasi dyshon në parregullsi gjatë procesit. Tre prej personave të vënë në hetim janë punonjës të shoqërisë shtetërore ALUIZNI, e cila është marrë me vlerësimet në Gërdec dhe personi i katërt është punonjës i bashkisë së Vorës. Akuza mbi ta është ajo e vlerësimit me tepër të dëmeve të shkaktuara në disa banesa në fshatin Gërdec dhe Marqinet. Prokuroria e Tiranës ka marrë një raport të plotë nga seksioni i krimit ekonomik të policisë Tiranë, e cila ishte marrë me këtë çështje pas disa denoncimesh nga banoret e zonës që kishin vërejtur parregullsitë në vlerësime midis banesave të tyre. Burimet e prokurorisë nuk saktësuan se për çfarë shifre në të holla bëhet fjalë dhe sa është dëmi që mund t’i jetë shkaktuar shtetit, por akuza që do rëndojë mbi të katër anëtarët e komisionit të vlerësimit të dëmeve pas tragjedisë do të jetë ajo e shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria identifikon organizatorin e vjedhjes se 80 mije eurove
TIRANË - Një javë pas vjedhjes së shumës prej 80 mijë euro në banesën e një biznesmeni në Komunën Dajt në Tiranë, prokuroria deklaroi se ka identifikuar organizatorin e kësaj ngjarjeje. Burime nga kjo prokurori thanë dje për gazetën “Albania” se grupi hetimor mendon se ideatori i kësaj vjedhjeje është shtetasi Klodian Meraja, 23 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë, i proceduar disa herë për të njëjtën vepër penale, i cili u arrestua para tre ditësh gjatë operacionit të koduar “Leja e Ndershme”. Sipas të dhënave hetimore, ky shtetas, i cili vuante dënimin në burgun e Shën Kollit në Lezhë, kishte marrë leje për sjellje të mirë pranë këtij institucioni dhe është larguar me synim për të realizuar vjedhjen në shtëpinë e biznesmenit në Dajt. Së bashku me të, policia arrestoi edhe shtetasit Jashar Meta, 23 vjeç, i proceduar disa herë për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “vjedhjes me dhunë”, Afërdita Lela, 21 vjeç dhe Lefter Xerozi, 50 vjeç, lindur në Shijak, Durrës dhe emigrantë në Greqi (babai i shtetasit Klodian Meraja). Personat e mësipërm mendohet se në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë vjedhur me thyerje banesën e administratorit të një firme mermeri në Komunën Dajt, duke grabitur shumën prej 80 mijë eurosh. Me cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestrua një automjet tip BMW dhe një shumë e konsiderueshme parash.
3 Qershor 2008