Vaji grek, Ministria e Bujqësisë garanton konsumatorët në përdorim
Ndërsa autoritetet greke njoftuan pak kohë më parë se në Shqipëri ishte futur vaji i ndotur me lubrifikantë, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka pohuar dje se, një fakt i tillë nuk është i vërtetë. Ai ka deklaruar se, “analizat e 6 llojeve të vajit që u dërguan në laboratorët e Italisë treguan se vaji që shitet në vend është brenda standardeve për konsum”. Sipas ministrit Gjana, në laboratorët në Itali janë dërguar mostra nga vaji që importohet nga 12 kompani, përfshi këtu firmën “Desida Ballkan”, që është furnizuar nga kompania “Manos”, së cilës iu bllokua vaji i ndotur në Greqi më 9 maj 2008. “Në tregun ushqimor shqiptar, nuk ka hyrë asnjë sasi vaji i ndotur, jo vetëm nga Ukraina, por nga asnjë shtet tjetër”, - tha ministri Gjana. Ai shtoi më tej se, “në tregun vendas të gjitha ushqimet, të prodhuara në vend ose të importuara, i nënshtrohen kontrollit sistematik, nga inspektorët përkatës duke siguruar kështu konsumatorët për cilësinë dhe standardet e tyre”. Sasia e vajit të bllokuar nga Sektori i Kontrollit Ushqimor (EFET) pranë Ministrisë greke të Zhvillimit, kishte përmbajtje të lartë të lëndës së dioksinit dhe ishte importuar nga Ukraina me destinacion vendet e Europës Juglindore, veçanërisht Shqipërinë dhe Greqinë.
3 Qershor 2008