E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi, nga 15 qershori 10 euro taksë kufitare me Shqipërinë



Në një kohë që Shqipëria ndjek politikën e heqjes së taksave kufitare me fqinjët, e kundërta ndodh nga këta të fundit karshi vendit tonë. Pas Republikës së Maqedonisë, e cila tentoi të vendoste vizat me Shqipërinë, një tjetër republikë ish-Jugosllave, fqinje me vendin tonë, na vendos një taksë jo të vogël duke përfituar nga etja e madhe e shqiptarëve për të kaluar pushimet jashtë vendit. Nga 15 qershori të gjitha autoveturat që futen nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, do të paguajnë një taksë prej 10 eurosh. Kjo taksë e cilësuar si “eko-taksa”, do t’u vilet qindra apo ndofta edhe mijëra automjeteve që do të hyjnë nga Shqipëria në këtë shtet të vogël gjatë stinës së verës, pronarët e të cilave preferojnë të kalojnë fundjavat në plazhet e pastra të Malit të Zi. Ministria malazeze e Turizmit njoftoi se “eko-taksa” do të funksionojë mbi të gjitha makinat e huaja që hyjnë këtë verë në vend, në një orvatje për të mbrojtur mjedisin. Taksa, efektive nga 15 qershori do të jetë 10 euro për veturat dhe minibuset (furgonët), si dhe nga 30-150 euro për kamionët, autobusët dhe makinat e tjera të mëdha. Në Shqipëri taksa e kalimit kufitar për të gjitha automjetet e huaja nuk është më shumë se 1 euro. Më parë në pik-kalimet kufitare shqiptare paguheshin 1 mijë lekë, por taksa u ul për të gjithë në kuadër të nismës “Shqipëria 1 euro”.

Projektligji “Për turizmin”, gati ndryshimet për ndërtimet pa leje

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e djeshme vazhdoi shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”. Specialistë të fushës të pranishëm në këtë takim, shpjeguan se amendamentet shtesë të këtij projektligji, kanë për qëllim të rrisin masat ndaj shkeljeve që janë bërë në zonat turistike të vendit, si dhe të orientojnë më qartë zhvillimin në të ardhmen të turizmit shqiptar. Ekspertët e turizmit u shprehën kundër tendencës së licencimit të të gjitha aktiviteteve turistike. Disa prej tyre mund t`i lihen konkurrencës, thanë ata. Relatori i Komisionit për këtë projektligj, deputeti Pilo Keri u shpreh kundër në parim me këtë projektligj, ndërsa operatorët e biznesit kërkuan kohë që të njiheshin me të. Gjatë diskutimit në parim të projektligjit, deputetët e opozitës shprehën bindjen se në këtë projektligj vihet re, tendenca e përthithjes së kompetencave të pushtetit vendor nga ai qendror, ndërsa deputetët e maxhorancës, u shprehën se amendamenti në fjalë do të frenojë shkeljet e bëra në zonat turistike.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›