E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiksimi i Salihit: Dua një gol kundër Milanit

 

JETMIR HALILAJ

Ky është padyshim momenti i Hamdi Salihit. Bomberi e pranon vetë kur thotë se as që e kishte menduar një shpërthim të tillë në javët e fundit të kampionatit. Shkodrani ka arritur objektivin sezonal, pasi e kaloi kuotën e 10 golave (ka realizuar 11 në kampionat) dhe tani mendon vetëm që të kalojë rekordin e vitit të shkuar, ku shënoi 12 gola në kampionat. Sigurisht që objektivi momental i tij është t'i shënojë një gol Milanit. "Kjo po që do të ishte qershiza mbi tortë", ka thënë sulmuesi i Kombëtares shqiptare për "Panorama". Nëse nuk do të ishte për dy golat e shënuar të shtunën kundër Matersburgut dhe për paraqitjen e shkëlqyer në ndeshjet e fundit, klubi mund të mos e kishte lejuar që të paraqitej në ndeshjen kundër Milanit. "Në fillim drejtuesit e klubit nuk refuzuan të më linin të lirë, pasi kampionati ende nuk ka përfunduar dhe për më tepër i druhen një dëmtimi në kësi ndeshjesh - sqaron lojtari. - Për asnjë moment nuk këmbëngula, pasi nuk i dihej si shkonin punët dhe mund të më kthehej e gjithë situata mbrapsht. Më pas, falë edhe insistimit të federatës, por edhe për shkak të golave që shënova, nuk deshën të ma prishin qejfin, pasi e kuptuan se kisha shumë dëshirë të luaja në këtë ndeshje". Ai është i ndërgjegjshëm se një paraqitje e mirë kundër Milanit do t'i shtonte shumë pikë në sytë e menaxherëve të skuadrave prestigjioze, por nuk është i fiksuar pas kësaj ideje. Ai ka një dëshirë të madhe për t'iu shënuar një gol shtatë herë kampionëve të Evropës nesër, pasi sipas tij, vështirë të përballet me më ekipe të këtij kalibri. "Nuk mund ta mohoj që Milani është një mundësi shumë e mirë për çdo futbollist, nëse i referohemi aspektit të marketingut, apo siç e quani ju gazetarët, merkatos - pohon Salihi. - Megjithatë, në një klub të rëndësishëm nuk mund të shkosh vetëm nëse i shënon Milanit, apo një skuadre të këtyre përmasave. Në një ekip të madh shkon nëse shënon rregullisht, nëse ke parametrat e duhur fizikë dhe psikologjikë dhe për shumë arsye të tjera. Unë nuk do të mendoj shumë për këtë, do të mendoj më shumë për golin, qoftë edhe për motive personale. Kam shumë dëshirë t'i shënoj Milanit, pasi jo gjithmonë mund të të jepet mundësia që të luash përballë ekipeve të tilla dhe një gol do të ishte i paharrueshëm". Asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për t'u transferuar në një klub të madh dhe lë të kuptohet se tani është momenti i duhur që kjo të ndodhë. Pas një eksperience të suksesshme te Riedi, Salihi dëshiron të veshë fanellën e një klubi të rëndësishëm, pse jo edhe në Serinë A, për t'u përballur sërish me Mialnin, apo edhe me Interin e Juventusin. "Kemi edhe tri javë kampionat dhe më pas do të mendojmë për të ardhmen. Këtu ndihem mirë, por sigurisht që synimi im qysh në fillim ka qenë që të luaj në një ekip të madh - është shprehur futbollisti. - Te Riedi mendoj se kam shpalosur të gjitha aftësitë e mia dhe në një farë mënyre, kjo ka qenë një provë e suksesshme. Unë do të doja të transferohesha në një ekip të mirë dhe me nivel, por kushti primar është që edhe atje të mund të luaj rregullisht. Nuk më pëlqen që të shkoj në një skuadër të madhe dhe të qëndroj thuajse gjatë gjithë kohës në stol. Do të ishte një torturë dhe një dështim për mua. Preferoj një ekip më pak prestigjioz, por ta kem të sigurt formacionin titullar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›