Kievo i merr pikë Interit, Milan-Juve, vetëm barazim
Supersfida e javës së 35-të të Serisë A ndërmjet Milanit dhe Juventusit mbyllet në paqe me rezultatin 1-1, ndonëse të dyja skuadrat janë përballur ashpër në fushën e lojës, në një sfidë të cilës nuk i ka munguar asgjë spektakolare. 90 minutat kanë qenë të dominuara nga kuqezinjtë e Ançelotit, të cilët ndonëse kanë shpërdoruar disa raste të arta, kanë reklamuar edhe dy njëmbëdhjetëmetërsha. Të dy golat e takimit janë shënuar në pjesën e dytë, ku fillimisht Sedorf kalonte në avantazh Milanin në minutën e 57-të, ndërkohë që tre minuta më vonë, Iakuinta barazonte takimin. Interi duhet të shtyjë festën e titullit, pasi në transfertën e Veronës kundër Kievos duhet të kënaqet vetëm me një barazim 2-2. Pavarësisht se e gjejnë veten dy herë në avantazh falë golave të Krespos dhe Balotelit, zikaltrit e drejtuar nga Zhoze Murinjo do të arrihen nga veronezët Markolini dhe Luçiano. Kur kanë mbetur vetëm tre javë nga fundi i kampionatit, Interi duhe të ruajë diferencën e 7 pikëve nga Milani, për t'u shpallur për të katërtën herë radhazi, kampione e Italisë, ndërkohë që Murinjo do të festonte titullin e tij të dytë me zikaltrit pas fitores së Superkupës së Italisë në fillim të sezonit. Roma merr një barazim të vlefshëm në transfertën delikate të Kaljarit me rezultatin 2-2. Verdhekuqtë e Spaletit arrijnë të rikuperojnë ndeshjen brenda pak minutave në pjesën e dytë falë golave të Totit dhe Perrotas, pasi ndodheshin në disavantazhin 2-0. Kjo pikë e marrë e Romës vlen dyfish pas disfatës së Palermos në Siena me rezultatin 1-0, dy skuadra që luftojnë për vendin e fundit që dhuron Kupën UEFA. Fiorentina blindon vendin e katërt pasi fiton 2-0 në Katania falë golave të Jovetiç dhe Zaurit, ndërkohë që Xhenoa ndalet në barazimin 1-1 në Bergamo kundër Atalantës. Vjollcët e Prandelit tashmë kanë zgjeruar në 3 pikë diferencën me Xhenoan dhe qëndrojnë më të qetë për tre ndeshjet e mbetura. Pas disfatës në Siena, Napoli barazon 1-1 me Leçen që është në luftë për mbijetesë në Serinë A. Torino-Bolonja, sfidë mes dy skuadrash që mbyllin zonën e ftohtë së bashku me Rexhinën, mbyllet në barazim 1-1. Di Vaio, i përgjigjet penalltisë së Rozinës në pjesën e parë dhe merr kryesimin e golashënuesve të Serisë A me 22 gola.
JAVA E 35-TË TË SHTUNËN
Sampdoria - Rexhina 5-0
Lacio - Udineze 1-3
DJE
Atalanta - Xhenoa 1-1
Kaljari - Roma 2-2
Katania - Fiorentina 0-2
Kievo - Inter 2-2
Leçe - Napoli 1-1
Siena - Palermo 1-0
Torino - Bolonja 1-1
Milan - Juventus 1-1