E Diel, 1 Nëntor 2026

Filikaça për drejtësi

Gjithçka ju ka shkuar mirë derisa po kremtohej "Dita e Drejtësisë në Kosovë", ministres Nekibe Kelmendi, ambasadorit amerikan Christopher Dell, Bernard Rabatel zyrtar i lartë i EULEX-it, kur papritur janë futur në sallë disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Derisa ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, po fliste në Sallën e Kuqe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, aktivistë të Vetëvendosjes kanë filluar me fishkëllime duke shpalosur parullat e tyre me mbishkrime të ndryshme që kanë të bëjnë kryesisht me dështimet në sistemin e drejtësisë.

“Serbia emëroi gjyqtarët dhe prokurorët për Veri dhe enklava. Politikanët po e festojnë Ditën e ligjit”.

Këto kanë qenë vetëm disa nga parullat e aktivistëve, të cilët në këtë mënyrë kanë treguar se në Kosovë nuk ka drejtësi.

Aktivistët e Lëvizjes nëpërmjet parullave kanë paraqitur një varg argumentesh me të cilat dëshmohet se drejtësia në vendin tonë nuk është funksionale.

“Vrasësit e Arbenit dhe Monit u kthyen pa u ndëshkuar në Rumani”, “EULEX-i ka planifikuar të nënshkruajë edhe një protokoll tjetër me Serbinë”, “Kur e ka hetuar drejtësia ndonjë politikan për korrupsion? Kurrë”.

Është dashur të intervenojnë njësitet policore për të “arrestuar” aktivistët në mënyrë që organizimi për Ditën e drejtësisë të vazhdojë me protokollin e paraparë.

Ndërkohë që ceremonia për Ditën e drejtësisë ishte ndërprerë për rreth gjysmë ore, kanë qenë ndërhyrjet policore që kanë mundësuar rifillimin e fjalimeve, pasi që janë larguar me forcë aktivistët e Vetëvendosjes nga salla.

I vetmi qa ka folur për aksionin e Vetëvendosjes ka qenë ambasadori Dell, i cili vetëm që ka përshëndetur policinë e Kosovës për veprimin e tyre duke larguar aktivistët e Vetëvendosjes.

Dita e drejtësisë në Kosovë, e shpallur më 16 janar të vitit të kaluar, nuk ka kaluar pa u përsëritur se në Kosovë nuk ka drejtësi.

Edhe udhëheqës institucionesh kanë thënë se ka korrupsion të theksuar në sistemin e drejtësisë, por megjithatë është vlerësuar se janë bërë hapa të mirë në drejtim të reformimit të këtij sistemi.
Ministrja Nekibe Kelmendi ka thënë se Dita e drejtësisë e shpallur më 16 janar të vitit të kaluar ka karakter lokal dhe koincidon më dhënien e betimit për herë të parë pas luftës në Kosovë të bartësve të funksioneve të drejtësisë në institucionet e drejtësisë të Kosovës, të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ajo ka thënë se është detyrë e të gjitha institucioneve të Kosovës, e personave juridikë dhe fizikë, e të gjithë qytetarëve të saj që ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.
“Përmes dhënies së drejtësisë, jo vetëm që mundësohet respektimi konsekuent i të drejtave dhe lirive të njeriut, por arrihet edhe një element shumë i rëndësishëm, ushtrimi i pushtetit shtetëror nga institucionet shtetërore në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet”, ka thënë Kelmendi.

E, ajo ka përmendur edhe korrupsionin në sistem.

“Sa i përket këtij pushteti dhe punës së gjykatave dhe prokurorive, ka shumë për t’u bërë. Para së gjithash duhet të parandalohet dhe luftohet korrupsioni, i cili për fat të keq është i pranishëm në organet e drejtësisë”, ka vlerësuar ministrja e Drejtësisë.

Ambasadori Dell ka argumentuar se ka tri komponente kritike për të krijuar kërkesën për drejtësi në angazhim, siç janë, dija, angazhimi dhe besimi.

“Për të mundur qytetarët të kërkojnë drejtësi, ata duhet të kenë informacion për të drejtat e tyre dhe aftësinë për të vepruar për to. Ata po ashtu duhet të kenë një kuptim të qartë se si do duhej të punonin institucionet e sundimit të ligjit. Grupet e shoqërisë civile dhe OQJ-të duhet të luajnë një rol në përhapjen e këtij informacioni te publiku. Duke pasur parasysh këtë, qeveria ime do të lansojë së shpejti programin për t’iu ofruar OJQ-ve grante të vogla për projekte të ndërlidhura me sundimin e ligjit”, ka thënë ambasadori amerikan.

Ai ka kërkuar të krijohet besim edhe tek institucionet udhëheqëse vendore dhe ndërkombëtare për sundimin e ligjit dhe të besojnë se sistemi i drejtësisë funksionon në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

Ambasadori Dell ka thënë me këtë rast se duhet nxirret Ligji për gjykatat dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërkaq ka vlerësuar se duhet të bëhen rifreskime në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, por gjithashtu ka thënë se si prioritet kryesor duhet të jetë edhe Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Lirie Osmani, kryetare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka folur për reformat në sistemin e drejtësisë. Ajo ka përmendur pozitën materiale të bartësve të institucioneve të gjyqësisë, duke thënë se është në pozitë më të ulët sesa e kolegëve në vendet e tjera.

Parullat e Vetëvendosjes
Drejtësia në Kosovë ka dështuar tërësisht. Në Kosovë nuk ka drejtësi, por padrejtësi. Padrejtësia është mungesa e drejtësisë.
Nuk ka drejtësi për ata që kanë vrarë, dhunuar, keqtrajtuar e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë. Kriminelët ende enden të lirë edhe brenda Kosovës. Emrat dihen.
Nuk ka qetësi për familjet e të pagjeturve. 1,800 të rrëmbyer shqiptarë ende i mban Serbia. Përgjegjësit dihen.
Nuk ka drejtësi për ata që e shkelin ligjin. Askush nuk është prekur nga strukturat paralele. Ato veprojnë lirshëm kundër Kosovës sipas ligjit të Serbisë. Emrat dihen.
Nuk ka drejtësi për hajninë, pasurimin e paligjshëm, korrupsionin, krimin e organizuar politik e ekonomik të politikanëve të lartë të Kosovës. Emrat dihen.
Nuk ka drejtësi për kriminelët ndërkombëtarë: ata kanë imunitet. Vrasësit e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt u kthyen pa u ndëshkuar në Rumani. Emrat dihen.
Nuk ka drejtësi për korrupsionin ndërkombëtar në Postë, Aeroport. Hajnat ndërkombëtarë kanë imunitet prej ligjit, i cili vlen veç për ne. Emrat dihen.
Nuk ka drejtësi të pavarur. Ajo është politike dhe në shërbim të pushtetit e Qeverisë, e jo në shërbim të drejtësisë. Kur e ka hetuar drejtësia jonë ndonjë politikan të lartë? Kurrë.
Nuk ekziston një sistem unik i drejtësisë në Kosovë. Diku zbatohet Plani i Ahtisaarit dhe ligjet e tij. Kurse në Veri dhe enklava zbatohen ligjet e Serbisë. Dysia është dyfytyrësi.
Nuk ka gjykata të Kosovës në Veri dhe enklava, por vetëm të Serbisë. Serbia emëroi gjykatësit dhe prokurorët për Veri dhe enklava. Politikanët tanë po e festojnë Ditën e ligjit
Pas nënshkrimit të Protokollit për Policinë me Serbinë, EULEX-i ka paralajmëruar nënshkrimin e një protokolli tjetër me Serbinë për drejtësinë. Politikanët tanë po flejnë.
Nuk ka funksionim të drejtësisë. Qindra mijëra lëndë të pazgjidhura e bëjnë sistemin e drejtësisë në Kosovë të jetë shumë vite larg efikasitetit. Përgjegjësit dihen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›