E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filipine, 200 të vdekur dhe 400 të zhdukur nga tajfuni

Një stuhi tropikale ka përfshirë Filipinet, duke shkaktuar një sërë përmbytjesh dhe rrëshkitje dheu me pasoja vdekjeprurëse. Tajfuni Washi goditi rajonin jugor të Mindanos gjatë natës, duke mbuluar zonën me shira të rrëmbyer dhe erëra të fuqishme. Zyrtarët thanë se numri i të vdekurve është mbi 200 njerëz dhe rreth 400 figurojnë të zhdukur. Kryqi i Kuq filipinas thotë se numri i të vdekurve është më i lartë.

Kjo organizatë tha për agjencinë Associated Press se tajfuni ka shkakuar vdekjen e të paktën 463 njerëzve, bazuar tek trupat e regjistruar në një zyrë funeralesh. Shefi i agjencisë kombëtare për ndërhyrjen në raste fatkeqësish natyrore, deklaroi se zyrtarët ende marrin të dhëna nga zona ku ka goditur tajfuni dhe se numri i të vdekurve mund të rritet edhe më tepër. Disa prej zonave më të goditura ishin qytetet e Iliganit dhe Kagayan de Oro.

Dëshmitarët thonë se disa shtëpi në zonat bregdetare u përfshinë nga deti ndërsa njerëzit ishin në gjumë. Banorë të tjerë u detyruan që të ngjiten në çatitë e shtëpive për të shpëtuar nga vërshimi i ujit dhe kanë pritur atje për ndihmë. Zyrtarët thonë se janë dhjetra mijëra njerëz pa shtëpi. Në operacionet për shpëtim marrin pjesë rreth 20.000 ushtarë dhe tre helikopterë.
 

Rreth 100.000 persona janë shpërngulur, ndërsa një numër i madh banesash mbetën pa energji elektrike. Filipinet çdo vit goditen nga tajfunët, kryesisht në pjesën veriore të shtetit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›