Filipine, numri i viktimave nga stuhia arrin në 106
Përkeqësohet bilanci provizor i viktimave të stuhisë tropikale Ketsana që goditi Filipinet së fundmi. Të paktën 106 persona besohet se kanë vdekur ndërsa 23 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Nga fatkeqësia natyrore më shumë se 300 000 kanë mbetur të pastrehë. Stuhia tropikale është konsideruar një ndër më të rëndat që ka goditur vendin gjatë 40 viteve të fundit. Qeveria ndërkaq ka shpallur gjendjen e katastrofës. Në Manila moti i keq ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndër viktimat bëjnë pjesë edhe një ushtar dhe katër vullnetarë që po përpiqeshin të shpëtonin të mbijetuarit e katastrofës. Sipas të dhënave të Ministrit të Drejtësisë, Gilberto Teodoro, numri i të zhvendosurve prej stuhisë tropikale Ketsana, ka arritur në më shumë se 435 mijë, gati dyfishi i shifrave të dhëna më herët, megjithatë, ende shifrat nuk janë përfundimtare. Edhe pse niveli i përmbytjeve ka nisur të ulet, mediat vizive kanë transmetuar pamje të qyteteve të shaktërruara, njerëz që përshkojnë rrugët e mbushura me ujë, apo të tjerë persona që qëndrojnë në çatitë e shtëpive. Ushtria, policia, e vullnetarë të shumtë janë përfshirë në operacionet e shpëtimit në Filipine.