Sejdiu pas takimeve në New York, optimist për njohje të reja të Kosovës
Pas kthimit nga New Yorku, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu është shprehur shumë optimist për rezultatet e këtyre takimeve, duke theksuar se ato mund të rezultojnë së shpejti me njohje të reja të Republikës së Kosovës nga disa shtete. Në një konferencë shtypi të zhvilluar në ambientet e Aeroportit të Prishtinës, Presidenti Sejdiu theksoi se qëllimi themelor i vizitës ka qenë që të takonte udhëheqës dhe përfaqësues të shumë vendeve të botës dhe posaçërisht të vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Në këtë kuadër, Sejdiu tha se ka patur edhe një mundësi të veçantë që të kishte një pritje tek presidenti amerikan, Barack Obama, siç është bërë tashmë praktikë. Duke folur për takimet me zyrtarët e lartë të SHBA-ve, Presidenti Sejdiu ka përkujtuar takimin me këshilltarin e Sigurisë Nacionale, Gjeneralin Jones, zëvendëssekretarin e shtetit, Philip Gordon, po ashtu ndihmëszëvendëssekretarin e Shtetit, Stuart Jones, dy miqtë e angazhuar për Kosovës më parë në funksione të rëndësishme Daniel Frih dhe Rosemari Di Karlo, por edhe personalitet të tjera të rëndësishme të Departamentit amerikan. Presidenti Sejdiu përmendi edhe takimet e tjera që ka realizuar gjatë qëndrimit njëjavor në New York. Në këtë kuadër ai ka veçuar takimin jashtëzakonisht përmbajtjesor me kryeministrin e Mbretërisë Spanjolle, Zapatero. Presidenti Sejdiu ka përmendur takimet me emirin e Katarit, dhe shpreson se shteti i tij do ta njohë së shpejti Kosovën duke iu bashkangjitur vendeve te tjera anëtare të Konferencës Islamike. Sejdiu ka pasur takim bilateral me presidentin e Malavit, shtet nga i cili pret njohje të shpejtë duke shtuar se paralajmërim për njohje të Republikës së Kosovës ka marrë edhe nga kryeministri i Tuvalës. Duke folur për reagimet e Serbisë lidhur me vizitën dhe takimet e Presidentit Sejdiu me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni në OKB, presidenti Sejdiu theksoi se përgjigjja më e mirë këtyre reagimeve kanë qenë takimet e shumta që ata kanë zhvilluar gjatë kësaj kohe.