Filipine, presidenti do vizitojë zonat e shkatërruara

Presidenti i Filipineve, Benigno Aquino do të vizitojë zonat që janë shkatërruar nga stuhitë fatale që përfshinë vendin gjatë fundjavës që kaloi.
Rreth 1 mijë persona mbetën të vrarë pasi tajfuni “Washi” goditi jugun e ishullit Mindanao dhe zonat përreth.
Zoti Aquino e ka shpallur gjendjen si një katastrofë kombëtare dhe ka deklaruar se prioritet duhet të jenë ata dhjetëra mijëra persona që kanë mbetur të pastrehë.
Në disa qytete, autoritetet lokale kanë në plan të bëjnë disa varrime masive të trupave të paidentifikuar që kanë humbur jetën gjatë tragjedisë natyrore.