Fillim antikushtetues i qeverisë Rama, programi u soll me vonesë në Kuvend

Ish-Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi
Ish- Ministri i Drejtësisë, tashmë në cilësinë e deputetit dhe nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat, Eduard Halimi, e ka cilësuar një fillim antikushtetues të qeverisë së mazhorancës së majtë dhe kryeministrit të saj Edi Rama. Përmes rrjetit social facebook, duke ju referuar nenit Neni 97 të Kushtetutës së vendit, Halimi sqaron se me dekretimin e tij si Kryeministër nga Presidenti i Republikës, Rama brenda 10 ditëve, i paraqet Kuvendit programin politik te këshillit te ministrave se bashku me përbërjen e tij. Në kushtet kur kabineti i Ministrave u dekretua paraditen e sotme, Halimi thekson se vetëm sot Kryeministrit Rama i lind e drejta kushtetuese t’ia paraqesë Kuvendit programin dhe përbërjen e qeverise, në një kohë që Kryeministri Rama e publikoi atë një ditë më parë mediatikisht. “Presidenti i Republikës dekretoi dje për kryeministër z. Rama dhe hapi i pare i këtij kryeministri te ri ishte ne shkelje te hapur te Kushtetutës. Sipas njoftimit te kuvendit u paraqiti ne oren 16:00 ditën e djeshme programi i qeverise se re. Kushtetuta kërkon qe Kryeministri paraqet programin bashkë me kabinetin. (Kabineti dje ende nuk ishte dekretuar). “Neni 97 Kryeministri i emëruar …….. i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik te këshillit te ministrave se bashku me përbërjen e tij.” Pasi tregoi me mburrje dekretin, Z. Rama shkeli Kushtetutën e vendit. Hapi i pare i kryeministrit ishte antikushtetues. Akt i papranueshëm ne nje vend demokratik!E papranueshme edhe per Kuvendin e Shqipërisë qe veprimi i pare qe kryen është antikushtetues, sepse pranoi paraqitjen e një programi pa përbërje madje reklamoi mediatikisht ketë pranim. Ne fakt ,Presidenti i Republikës sot e dekretoi qeverinë e re dhe vetëm sot i lind e drejta kushtetuese, kryeministrit ta paraqese ne kuvend, vetëm SOT i lind e drejta kushtetuese kuvendit te pranoje paraqitjen e programit dhe përbërjen e qeverise” shkruan Halimi. Sipas tij një veprim i nxituar nga qeveria e re vjen nga uria për pushtet, por dhe mungesa e njohurive në lidhje me atë çfarë përcakton Kushtetuta e vendit. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat shpreh vendosmërinë e PD për të qëndruar fort përballë injorances ne qeverisje ne mbrojtje te interesave me te mira te qytetareve shqiptare dhe demokracisë ne vend. “Miq, është aq e nxituar dhe uritur për pushtet maxhoranca e re saqe dhe nenet formale, te qarta me precedentë te mirevendosur te Kushtetutës i shkel. Sa keq qe përpara se te behej kryeministër i te gjithë shqiptareve Z.Rama as e ka lexuar Kushtetutën! Përballë kësaj injorance ne qeverisje qe nuk ngurroi te shfaqej qe në ditën e pare, ne jemi te vendosur te qëndrojmë fort ne mbrojtje te interesave me te mira te qytetareve shqiptare dhe demokracisë ne vend. Shqipëria nuk ka nevoje te kthehet mbrapa dhe as të diskutoi për standardet minimale te kushtetueshmërisë!”, përfundon ai.