Fillimi i Kuvendit, LSI-ja merr stafetën për shkarkimin e Topallit
Shaban Sulçe
Sesioni i ri i parlamentar pritet të nisë zhurmshëm dhe me debate të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë. Objekt i këtij debati duket se do të jetë mocioni për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Iniciatore e këtij mocioni do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila duket e vendosur për të kërkuar largimin e Topallit nga drejtimi i Kuvendit. Shkeljet procedurale dhe ligjore, si dhe sjellja jonormale e Topallit ndaj deputetëve të opozitës në përgjithësi janë dy arsyet të cilat e shtyjnë LSI-ja që në fillimin e sesionit të ri kuvendor të paraqesë nismën ligjore për mocionin e shkarkimit të Topallit nga drejtimi i Kuvendit. Mocioni për shkarkimin e Topallit u paralajmërua nga LSI-ja që në fund të legjislaturës së kaluar. Një gjë e tillë u bë publike nga kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili do të deklaronte në përfundim të kësaj legjislature vendosmërinë e LSI-së për shkarkimin e kryetares së Kuvendit. “LSI-ja ka denoncuar me forcë drejtimin arrogant dhe thyerjen e vazhdueshme të rregullores e të etikës parlamentare nga ana e kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli. Zonja Topalli, në mënyrë të përsëritur, u ka hequr deputetëve të opozitës të drejtën e fjalës, ka shkelur ajo vetë dinjitetin e tyre dhe ka inkurajuar edhe të tjerët të bëjnë një gjë të tillë. Zonja Topalli është rikonfirmuar tashmë si njeriu i konfliktit, jo i dialogut, dhe për këtë arsye ne kemi mbështetur nismën për një mocion mosbesimi ndaj kryetares së Kuvendit, nismë që shpresojmë do të startojë në sesionin e ardhshëm parlamentar”, - do të deklaronte kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi.
Meta
Mbështetje për çdo nismë ndaj shkarkimit të Topallit u dha edhe nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili deklaronte se, LSI-ja, me votat e deputetëve të saj, do të mbështeste çdo nismë që “është kundër drejtimit të Parlamentit në mënyrën si e ka drejtuar deri tani zonja Topalli, ku kulmi i shkeljes së procedurave dhe normalitetit të Parlamentit ishte më 21 prill, në mënyrë krejt të dyshimtë dhe aspak transparente për ndryshimin e Kushtetutës, e cila u ndryshua në substancën e saj në mënyrë të rrufeshme, kur ne e dimë që edhe për një projektligj normal duhet të paktën tre muaj kohë nga paraqitja në Parlament e deri në debatin dhe seancën plenare ku votohet”, - do të deklaronte Meta. Ndërkohë, burime nga LSI-ja bëjnë të ditur aktivizimin e planit të LSI-së për të paraqitur menjëherë sa të rifillojë punimet Parlamenti mocionin për shkarkimin e Topallit.
PS
Nga ana tjetër, asgjë nuk mund të thuhet për një mocion shkarkimi po ndaj Topallit, të deklaruar publikisht se do të kërkohej nga Partia Socialiste. Shkak i atij mocioni ishte kriza e dekreteve të presidentit, ku Topalli rezultoi se kishte vonuar kalimin e tyre në Kuvend. Për këtë arsye, Partia Socialiste deklaroi se do të kërkonte mocion për shkarkimin e saj. Madje selia rozë bëri publike se kishte ngritur edhe një grup pune, por nisma për mocion ndaj Topallit nuk u paraqit. Ende nuk dihet qëndrimi i PS-së për sesionin e ri parlamentar, nëse do të paraqitet një mocioni i paralajmëruar ndaj Topallit, apo deputetët socialistë do t’i bashkohen nismës së deklaruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Gjithsesi, deputetë të veçantë të PS-së nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në fillim të legjislaturës t’i rikthehen mocionit për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
12 Gusht 2008