E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave taton me 20% tregtarët e naftës



Ministria e Financave planifikon vendosjen e Tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjithë importuesit dhe tregtarët e naftës në Shqipëri. Një udhëzim i firmosur nga ministri Bode taton me vlerën 20% të gjithë furnizuesit me naftë të konsumatorëve shqiptarë. Sipas këtij udhëzimi, importuesit e prodhuesit vendas të karburanteve (shoqëri anonime) janë furnizues të nivelit të parë dhe furnizojnë me shumicë klientët e tyre (shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar), të cilët më pas furnizojnë me të njëjtin mall klientët, që normalisht janë konsumatorë finalë.
Regjimi fiskal në këtë rast përcaktohet në mbështetje të nenit 11 të ligjit të TVSH-së. Importuesit dhe prodhuesit që janë furnizuesit primarë konsiderohen si kryesorë, ndërkohë që operatorët (sh.p.k.), të cilët furnizohen prej tyre, konsiderohen si agjentë. Sipas pikës 1 të këtij neni, furnizimi i karburantit, i kryer nëpërmjet një agjenti (sh.p.k.), i cili vepron në cilësinë e agjentit për një person tjetër, është një furnizim prej kryesorit (sh.a.). Në këtë rast agjenti luan rolin e ndërmjetësit në tregun e karburanteve midis personit kryesor dhe personave të tretë, klientë të tij. Agjenti paraqitet si përfaqësues i kryesorit duke kryer një ndërmjetësim, të konsideruar si furnizim shërbimi dhe që është i tatueshëm si i tillë. Mbi vlerën e tatueshme të llogaritur në doganë për karburantin e importuar nga kryesori, aplikohet TVSH-ja në shkallën tatimore 20%. Kjo shumë është TVSH e zbritshme për kryesorin dhe është e kreditueshme prej tij brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit. Përsa i përket furnizimit të mëpasshëm, personi që është në rolin e agjentit, paraqitet si furnizues i të tretëve, por duke vepruar për llogari të personit kryesor. Fatura e lëshuar nga kryesori për llogari të agjentit të tij përmban të gjitha të dhënat që duhet të përmbajë një faturë tatimore sipas nenit 36 të ligjit. Çmimi i vendosur në të është ai i shitjes me pakicë dhe mbi vlerën e tatueshme të çdo furnizimi aplikohet TVSH-ja në shkallën tatimore 20%. Ajo deklarohet si TVSH e mbledhshme nga personi që luan rolin e kryesorit dhe konsiderohet si TVSH e zbritshme për blerësin brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit. Nga ana tjetër për këtë ndërmjetësim që kryhet për llogari të kryesorit, agjenti i faturon atij një shumë që konsiderohet si vlerë e tatueshme e këtij shërbimi (ndryshe komision), e barabartë me vlerën e ndërhyrjes së tij në treg. Mbi të zbatohet shkalla tatimore e TVSH-së prej 20%, e cila deklarohet si TVSH e mbledhshme nga agjenti. Njëkohësisht kjo shumë konsiderohet si TVSH e zbritshme për personin kryesor, si dhe është e kreditueshme prej tij brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›