Fillimjava, fluks normal emigrantësh në Kakavie
Paraditja e së hënës kanë shënuar në doganën e Kakavijës një fluks normal të kthimit të emigrantëve për në vendet e tyre të punës në shtetin fqinjë, Greqi. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër, krahasuar me ditën e shtunë fluksi i lëvizjes së emigrantëve në drejtim të Greqisë në fillimjavë ka qenë i njëjtë me atë të një dite normale. Deri në orën 9.00 të së shtunës kishin lënë pas traun e doganës shqiptare me destinacion tokën greke rreth 2 mijë emigrantë. Ndërkohë për shkak të fluksit të ulët të lëvizjes nuk janë shënuar radhë pritje në sportelet e kontrollit të doganës shqiptare dhe greke. Por fluksi i lëvizjes së kthimit të emigrantëve në Greqi pritet të rritet ditët e ardhshme. Për të shmangur radhët e pritjes në Kakavije policia shqiptare dhe greke kërkon nga emigrantët që gjatë rrugës së kthimit për në shtetin fqinjë të përdorin edhe pika të tjera kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë.