Masakra komuniste, dita e kujtesës për të vrarët pa varr
MIRDITË- 17 gushti, i njohur si masakra komuniste mbi Mirditën, është përkujtuar në një mënyrë të veçantë ditën e djeshme nga shoqata e të përndjekurve politikë të Mirditës, duke e perifrazuar tashmë si “Dita e kujtesës”. Familjarë që i mbijetuan terrorit të pazakontë që u ushtrua mbi prindërit e tyre të varur e të pushkatuar 50 vite më parë, kanë ndezur qirinj në përshpirtje të dhjetëra të masakruarve, që sot e asaj dite ndihen pa varr, e që sot i simbolizon një memorial i ngritur pranë muzeut historik në Rrëshen. Së bashku me ata të shënuar në memorialin e Shpalit, janë mbi 80 vetë që u futën në varr kolektiv, e për të cilët familjarët e tyre kanë gjetur si vend amshimi, pemën që quhej në toponiminë popullore si “Mani i Lal Ndreut”. Tek ky man në mënyrë sistematike prej vitit 1949 deri në vitin 1953 janë vrarë e pushkatuar një dyzinë mirditorësh nga familje të dëgjuara si një masakër e kalkuluar për të vënë nën zap Mirditën antikomuniste.
Ky man ishte dhe vendi i ekspozimit të kufomave të atyre që vriteshin në male nga forcat e ndjekjes, ndërsa trupat e tyre silleshin këtu dhe liheshin për ditë tëra që të grumbullohej tërë populli i Mirditës për t’i parë sesi dënoheshin “armiqtë e popullit”! Kufomat liheshin për ditë tëra duke u kthyer në kërma për korbat e zinj dhe më pas tërhiqeshin rrëshqanazi në breg të Zmesë ku ishte hapurr një varr kolektiv. Nuk mungonte dhe djegia e kufomave. Rrjedhja e furishme e Zmesë i merrte me vete kufomat dhe eshtrat e tyre dhe tashmë mbi 80 burrave të masakruar tek ky man a në malet e Mirditës, nuk u dihet varri.
Thonë se vite më vonë mani u tha nga gjaku që u derdh në atë vend nga viktima të pafajshme, ndërsa sot krah monumentit të të rënëve të genocidit komunist në Mirditë, u mboll një man i ri si kujtesë e atyre viteve të errëta të një terrori të pashembullt. Ritin e mbjelljes e kreu kryetari i shoqatës, Gjon Nikoll Deda dhe drejtori i drejtorisë së integrimit të të përndjekurve politikë Simon Miraka që ishte i pranishën në këtë Ditë Kujtese. Tubimin e përshëndeti dhe deputeti i zonës, Gjovalin Prenga, kryetari i bashkisë Rrëshen Gjon Dedaj e të tjerë.
Sekretari i kësaj shoqate, Lek Shtinja, tha për “Shekullin” se një veprimtari e tillë vjen si një risi në përkujtime të tilla, që ka nisur dhe me Ditën e Kujtesës në ish-kampin famëkeq të Spaçit në përkujtim të revoltës së vitit 1973 ku u vranë dhe u pushkatuan disa të burgosur dhe u ridënuan të tjerë. Ndërsa dita e sotme iu kushtohet jo vetëm atyre dhjetëra të vrarëve që nuk u dihet varri, por dhe qindra familjeve mirditore që kaluan kalvare të tëra vuajtjesh nëpër burgje e kampe internimi po për shkak të vrasjeve pa gjyq të të parëve të familjeve të tyre.
Kjo është minimumi i asaj që duhet të bëjë shoqëria jonë sot, pasi në këtë tubim pati dhe intelektualë e njerëz të tjerë, dhe përkujtimi është gjest fisnik i shoqërisë. Nga ana tjetër, presim të na kërkohet falje nga kampi i majtë i politikës, gjë që fatkeqësisht nuk e kanë bërë deri tani, ndërsa qeveritë dhe politika nuk duhet të bëjnë lojë me shtresën tonë.
I pyetur për dëmshpërblimin e kësaj shtrese, drejtori i integrimit në Ministrinë e Punës, Simon Miraka, është përgjigjur se gjithçka është në përgatitje dhe se muaji shkurt do të jetë momenti finalizues i dëmshpërblimit të kësaj shtrese të vuajturish përgjatë viteve të diktaturës komuniste, muaj kur parlamentit do t’i dorëzohet dhe fatura e plotë e shpenzimeve .