Shqipëria në hartën e turizmit seksual të fëmijëve
Shtypi britanik në një artikull të botuar gjatë ditës së djeshme, bën të ditur se Shqipëria është një nga vendet ku fëmijët trafikohen për prostitucion, pornografi, etj. Vendi ynë është i përfshirë në listën e vendeve në zhvillim, ku shtetas britanikë janë të akuzuar për krime ndaj fëmijëve.
Rrjete të ndryshme trafikut, bën të ditur artikulli i botuar në një prestigjioze britanike shfrytëzojnë fëmijët nga Shqipëria, India, Ghana, Vietnam dhe Camboxhia, për atë që quhet edhe si turizëm seksual. Artikulli i bën thirrje qeverisë britanike që të forcojë rregullat dhe ligjet për shtetasit e saj që janë të përfshirë në trafiqe në vendet e mësipërme. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Botë nga Trafikimi, shumë shtetas anglezë shkelin ligjet duke abuzuar me fëmijët në vende të ndryshme ku sillen si bamirës të shoqatave humaniste dhe operojnë në një zonë të mjegullt të trafikut ndërkombëtar. Shoqata për Mbrojtjen e Fëmijëve bën të ditur se Qeveria Britanike ka dështuar në parandalimin e turizmit seksual, duke patur kështu një numër të madh kundravajtësish që shkelin ligjin dhe kanë krijuar në Britaninë e Madhe një rrjet të tërë trafiku për turizmin seksual dhe pornografinë me të mitur. Janë të njohur rastet e shtetasve anglezë në Vietnam për abuzime me vajza në moshën 10 dhe 11-vjeçare. Të njëjtat raste janë përsëritur edhe në vende të tjera por qeveria britanike, sipas artikullit, ka mundur që të ndërhyjë me anë të rrugëve diplomatike, duke ndikuar në reduktimin e një pjese të dënimit për këta shtetas. Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve nga Trafikimi bën thirrje për një bashkëpunim më të mirë midis qeverive të vendeve të huaja dhe asaj britanike, për gjetjen e këtyre persekutorëve dhe pedofilëve dhe gjykimin sa më të shpejtë për krimet e kryera me të mitur. Sipas Shoqatës për Mbrojtjen e Fëmijëve, vetëm 5 pedofilë dhe kundravajtës kanë mundur që të gjykohen në Britaninë e Madhe për vepra kriminale me fëmijë jashtë vendit. Shtete të tjera si Amerika dhe Australia, bën të ditur Shoqata, kanë ligje më të forta për abuzimet me të mitur jashtë vendit dhe një numër të madh rastesh janë të gjykuara ndërkohë. Edhe në Shqipëri janë të njohura rastet e abuzimeve të shtetasve britanike me fëmijë të mitur. Këto raste janë ende nën hetim dhe mbetet në dorë të gjykatës, dënimi për veprat që ka ngritur akuza.