Tenton të vrasë gruan, arrestohet
Vetë viktima e dhunës para se të plagosej rëndë ka mundur t’i bëjë një telefonatë policisë lokale për ndihmë
Pogradec- Policia ka arrestuar në mesditë 41- vjeçarin Mirush Mrruko, banor i lagjes nr 3 të qytetit me orgjinë nga fshati Hoshteçë i Mokrës së Sipërme. Ka qenë gruaja e tij, 27- vjeçarja Kismete Billo e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj i cili prej shumë kohësh e rrihte barbarisht të shoqen duke i lënë shenja të shumta në trup. Policia ka marrë në mbrojtje 27- vjeçaren Kismete Billo dhe në bazë të nenit 73 dhe 84 të kodit penal ka bërë arrestimin e Mirosh Mrrukos nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje dhe dhunës sistematike . Mirosh Mrruko ishte martuar për së dyti me 27- vjeçaren Kimete Billo me origjinë nga Kukësi. .Policia ka thënë se një nga shkaqet kryesore të kësaj dhune që përdorte 41- vjeçari Mirosh Mrruko duke e keqtrajtuar bashkëshorten e tij në mënyrë sistematike dhe duke i shkaktuar plagosje dhe hematoma në trup ka qënë xhelozia e tij ndaj së shoqes. Burimet policore kanë thënë për gazetën se Mirosh Mrruko ende nuk i ka dhënë motivet e kësaj dhune ndaj bashkëshortes së tij 27 vjeçares Kismete Billo. Ndërkohë që kjo e fundit thotë se shkaqet e këtij keqtrajtimi kanë qënë se Mirosh Mrruko ishte shumë xheloz . Burri xheloz ka shkuar në shtëpi për drekë, por nuk ka mundur të durojë dhe disa çaste derisa e shoqja t’ia servirte ushqimin në tavolinë. Kaq është dashur që sherri që duket se ishte ulur këmbëkryq në këtë familje të nisë përsëri, ndërsa 41- vjecari Mruku ka rrëmbyer çfarë ka gjetur përpara për të vrarë në mes të shtëpisë 27- vjecaren. Ai mësohet të ketë përdorur sende të forta mes të cilave dhe një levë hekuri, ndërkohë që i ka shkaktuar asaj plagë të rënda në trup. Dy fëmijët e vegjël janë llahtarisur nga skena që kanë parë, ndërsa britmat e tyre, por dhe vetë të të dëmtuarës, kanë vënë në alarm dhe fqinjët e tyre. Vetë viktima e dhunës para se të plagosej rëndë ka mundur të kryejë një telefonatë policisë lokale për ndihmë, ndërsa ndërhyrja në kohë e kësaj të fundit i ka shpëtuar asaj jetën.