Filloi debati publik për Projekt-Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës

Komuna e Prishtinës, të mërkurën edhe zyrtarisht ka hapur debatin me qytetarë dhe ekspert të ndryshme për Projekt-Planin Zhvillimor Komunal, në të cilin paraqitet profili i gjendjes në komunën e Prishtinës, pozita, rëndësia dhe çështjet tjera specifike të territorit të komunës së Prishtinës, në kontest me Planin hapësinor të Kosovës, analizën e profilit me të cilën tregohen përparësitë, mangësitë dhe mundësitë e zhvillimit të komunës së Prishtinës, si dhe vlerësimet e ndikimit socio-ekonomik dhe mjedisor në këto zhvillime.
Nënkryetari i Komunës, Avdullah Hoti, i cili ishte i pranishëm në këtë debat tha se Plani Zhvillimor Komunal është nga më të rëndësishmit që ka Prishtina.
Nënkryetari Hoti tha se ky plan definon zhvillimin ekonomik, social, urban, të infrastrukturës, të furnizimit me ujë, të furnizimit me ngrohje dhe të të gjitha çështjeve tjera, sikur edhe për zhvillim rural dhe të turizmit.
“Ftoj të gjithë që të shohin këtë plan dhe të japin vërejtjet e tyre dhe sugjerimet që do të shkonin në favor të qytetarëve. Ky është plan zhvillimor komunal që përcakton vijat e trasha, përcakton vizionin e zhvillimit sipas fushave, mandej ato detajizohen ne planin tjetër që është ai zhvillimor urban dhe planit rregullues”, tha nënkryetari Hoti.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Behxhet Musliu tha se secili qytetarë mund t’i paraqet vërejtjet e veta dhe sugjerimet. Musliu tha se të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet do të vlerësohen nëse janë të arsyeshme apo jo.
“Në librat e ekspozuara këtu do të shënohen vërejtjet, propozimet, sugjerimet të cilat pas përfundimit të debateve publike ne do ti marrim ti shqyrtojmë secilën vërejtje dhe propozim dhe në bazë të atyre që konsiderojmë që janë të arsyeshme ne do ti miratojmë, do i inkorporojmë në këtë plan, ndërsa ato që mendojmë që janë të paarsyeshme do ti refuzojmë”, tha Musliu.
Përmbajtja e vizionit dhe parimeve paraqet të ardhmen e komunës së Prishtinës, caqet dhe prioritetet strategjike zhvillimore afatgjate.
Korniza e zhvillimit hapësinor komunal përmban strukturën dhe lokacionin hapësinor për zhvillimin dhe organizimin e ardhshëm ekonomik: regjenerimit, turizmit, rekreacionit, tregtisë, transportit komunal, popullsisë, banimit, vendbanimeve, çështjeve sociale, trashëgimisë kulturore, mjedisit, duke përfshirë trashëgiminë natyrore, shënimin e zonës urbane ekzistuese dhe zgjerimet e propozuara për të ardhmen, si dhe ndërtimin jashtë zonës urbane dhe zonave ndërtimore të fshatrave.
Pjesa e zbatimit të Planit përbën, kushtet e rëndësishme për zhvillimin dhe shfrytëzimin e tokës në komunë, destinimin e sipërfaqeve, zonat ndërtimore për vendbanime dhe strukturat ekzistuese jashtë zonave të vendbanimeve, kushtet për vendosjen e korridoreve apo traseve dhe sistemeve të tjera të infrastrukturës dhe masat për parandalimin e ndikimeve negative në mjedis.
Gjatë hartimit të këtij Plani, puna e konzorciumit në raport me Drejtorinë, stafin mbikëqyrës dhe menaxherët e projekt është zhvilluar kryesisht në punëtori, të cilat janë mbajtur në vazhdimësi.
Sipas sugjerimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe bazuar në Ligjin për vlerësimin strategjik mjedisor, Komuna, sipas procedurave konkurruese, ka angazhuar kompaninë “Integral” për hartimin e vlerësimit strategjik mjedisor për Planin zhvillimor komunal dhe atë urban, ndërsa prezantimin e Vlerësimit strategjik mjedisor të këtij plani do ta bëjë pas përfundimit të debateve publike dhe përfundimit të procedurave të tjera të parapara ligjore, i cili vlerësim do të paraqesë pjesë përbërëse të Planit zhvillimor komunal.
Projekt-Plani Zhvillimor Komunal është i ekspozuar në hollin e objektit të Komunës së Prishtinës, lagja “Arbëria”, Rr. “Ahmet Krasniqi” (objekti i ri i Komunës). Debati për këtë projekt plan do të zgjatë 60 ditë. Çdo ditë prej orës 09:00 – 16:00./Indeksonline/