Faruk Begollit, çmimi kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”

Juria Profesionale për ndarjen e çmimeve për Kinematografi, e emëruar me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka marrë vendim unanim që çmimi kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” t’i jepet aktorit Faruk Begolli (post-mortem), ndërsa çmimi vjetor për kinematografi t’i jepet regjisorit Ujkan Hysaj.
Në arsyetimin për dhënien e çmimit Faruk Begollit, thuhet se ai i jepet për kontributin e dhënë në kinematografi; për sukseset si aktor filmi; për kontributin e dhënë si pedagog për vite të tëra.
Ujkan Hysajt, ndërkaq çmimi vjetor për kinematografi i jepet për suksesin ndërkombëtar që ka pasur me filmin “Kolona”, përkatësisht për prezantimin me këtë film në shumë festivale prestigjioze, përfshirë edhe Festivalin e Filmit në Cleveland, festival i cili i ka dhënë të drejtën për të nominuar këtë film edhe për Çmimin Oscar.
Si njoftohet nga MKRS, çmimet për kinematografi jepen për herë të parë. Çmimi për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” është me vlerë monetare prej 5 000 euro, kurse çmimi vjetor në kinematografi 2 500 euro.
Ceremonia solemne e dorëzimit të çmimeve do të organizohet të shtunën, më 1 qershor, në ditëlindjen e aktorit tonë të shquar Bekim Fehmiu. Anëtarë të jurisë kanë qenë Valon Jakupaj, Orhan Kerkezi, Liridon Cahani, Korab Lecaj dhe Visar Krusha./Indeksonline/