Fillojnë ethet Euro 2008, fitimet rekord
Sot fillojnë 'ethet' e Euro 2008, që për një muaj do të mbajnë të mbërthyer para ekranit mijëra të apasionuar të futbollit, të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë futbollin evropian në stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet. Kampionati Evropian i Futbollit, do të mbahet në Zvicër dhe Austri.
Ndeshja e parë do të fillojë sot në orën 18:00 në Basel. Do të fillojnë te parat këtë kampionat europian Çekia dhe Zvicra, te cilat do te luajne ne Basel. Në Gjenevë do të luhet një tjetër ndeshje futbolli në orën 20.45. ndeshja do të zhvillohet mes Turqisë dhe Portugalisë. Ndërkohë që gara për titullin kampion të Euro 2008, në të cilin marrin pjesë 16 konkurentë, do të përmbyllet me ndeshjen finale në Vjenë më 29 qershor.
Euro 2008 përveç argëtimit do të sjellin edhe fitime marramendëse që kapin shifrën 1.3 miliardë euro. Këtë ka deklaruar në një konferencë për shtyp sekretari i përgjithshëm i UEFA-s David Tejlor. “Të ardhurat nga të drejtat televizive dhe sponsorët janë shumë më të larta se ato që do të vijnë nga shitja e biletave. Nga gjithë ky aktivitet ne përfitojmë afro 1.3 miliardë euro. Të ardhurat u shkojnë në radhë të parë skuadrave pjesëmarrëse. Për çdo fitore ato marrin nga një million euro. Pasi që në fillim secila skuadër pjesëmarrëse merr si bonus fillestar 7.5 milionë euro. Ndërsa për barazimet skuadrat përfitojnë 500 mijë euro. Ndërsa skuadra kampione do të fitojë në total 23 milionë euro”-tha Tejlor. Ai theksoi se të ardhurat këtë vit janë më të larta se ato të regjistruara në Euro 2004, pasi kontrata me televizionet dhe sponsorët janë rreth 50 përqind më shumë.