E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkthim dhe traditë

Një përvojë që vjen nga tradita, por që kërkon përmirësime në të ardhmen. Përkthimi është cilësuar si një mjet shumë i rëndësishëm për shkëmbimin mes kulturave dhe mes vendeve fqinjë, gjatë konferencës ndërkombëtare "Përkthime dhe tradita" (“Traduzione e tradizione”), që u organizua gjatë dy ditëve nga Universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës, i Firences dhe i Kalabrisë. Në konferencë ishin të pranishëm autoritete të të dy universiteteve, studiues, Konsulli i Italisë në Shkodër, Stefano Marguccio, gjuhëtari Francesco Altimari, profesorë, studentë, etj, të cilët me kumtesat e mbajtura evidentuan punën e bërë në vite në fushën e përkthimit dhe problemet që dalin në këtë fushë. Përgjegjësja e projektit "Albania", në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e Firences, Augusta Brettoni, tha se "kjo konferencë, që organizohet në kuadrin e bashkëpunimit shkencor mes Universitetit të Shkodrës dhe atij të Firences, është rezultat i bashkëpunimit që e ka zanafillën dhjetë vjet më parë dhe synon të njëhsojë punën kërkimore shkencore të stafit akademik shqiptar në fushën e përkthimit, si një mjet shumë të rëndësishëm për shkëmbimin mes kulturave dhe mes vendeve fqinjë". Prof. Alma Hafizi, drejtuese e dapartamentit të italianistikës në Universitetin e Shkodrës, duke evidentuar faktin se është hera e parë që organizohet një konferencë e tillë e këtyre përmasave, theksoi se"përkthimet janë një mjet shumë i rëndësishëm në bashkëpunimin mes kulturave, duke qenë se klasikët e letërsisë italiane përktheheshin fillimisht në Shkodër në dialektin geg gjatë viteve '30-'40 në dy shkollat letrare shqiptare dhe besoj se kjo konferencë do të sjellë një shërbim shumë të madh edhe për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe". Ndër temat më interesante të mbajtura në dy ditët e konferencës ishin "Gjeografia e përkthimeve, kontributi i shkollave letrare shkodrane në fushën e përkthimeve", mbajtur nga Alma Hafizi, "Vetëpërkthimi në përkthimet letrare italo-shqiptare, rasti i Jeronim De Radës", mbajtur nga Francesko Altimari, zëvendësrektor i Universitetit të Kalabrisë, "Përkthimet nga latinishtja klasike, vulgare dhe mesjetare, në gjuhën shqipe", mbajtur nga Alva Paci e Universitetit të Shkodrës, etj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›