E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtoni Festivalin!

 

Një grup artistësh i dërgojnë letër të hapur ministrit të MTKRS-së, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit. Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të këtyre institucioneve, në mbështetje të Festivalit Teatror “Butrinti 2000”, i cili një muaj para zhvillimit nuk po sheh asnjë ndihmë financiare

Butrinti 2000

Alma Mile

Një tjetër institucion kulturor pëson goditje nga politikëbërësit. Nuk mjaftoi topitja që ka zënë institucionet ende pa ardhur vera. Tanimë dhe Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, “Butrinti 2000” është i rrezikuar të dështojë. Kur ka mbetur vetëm një muaj nga ngritja e siparit, të një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në vend, organizatorët ende nuk kanë marrë një konfirmim për mbështetjen financiare të festivalit nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Teorikisht u është premtuar një shumë prej 6 milionë lekësh të reja, një shumë qesharake krahasuar me përmasat e festivalit që zgjat 8 ditë, por edhe me fondet që shpërndahen për aktivitete të dorës së dytë e të tretë. Drejtori i festivalit, Alfred Bualioti, thotë se nuk kanë marrë asnjë shpjegim nga ana e ministrisë. “Edhe pse projekti është dorëzuar që në muajin janar, ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Situata është tepër e vështirë. Madje mund të them se ky edicion i nëntë është më i vështirë edhe se i pari”, - thotë Bualioti. Duke mos parë asnjë rrugëzgjidhje, organizatorët, të mbështetur nga një grup artistësh i dërguan një letër të hapur ministrit Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, kryetarit të Këshillit Ministrave, Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Në këtë letër kërkohet menjëherë mbështetja e këtyre institucioneve, në të kundërt, rrezikohet vijueshmëria e këtij aktiviteti të rëndësishëm. “Me këtë aktivitet kaq të rëndësishëm kulturor ne kemi se çfarë t’i tregojmë botës, që nga lashtësia e deri te dukuritë e sotme të artit shqiptar dhetrashëgimisë kulturore. Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar si ideatore dhe organizatore e Festivalit, është mbështetur seriozisht nga shteti shqiptar nëpërmjetMinistrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për tetë edicionet e shkuara. Konstatojmë me kënaqësi vlerësime të shumta”, - thuhet në letër, duke vazhduar më tej se ky festival është një pasaportë për artin bashkëkohor shqiptar. Sipas artistëve, në këtë ngjarje që zhvillohet në një nga perlat e Mesdheut, në teatrin antik të Butrintit, kanë marrë pjesë trupa teatrore profesioniste nga shumë vende të botës si Anglia, Italia, Franca, Greqia, USA, Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Ukraina, Spanja, Hungaria, Hollanda, Suedia, Maqedonia, Kosova, Zvicra,janë ngjitur në skenë 1750 artistë dhe janë ndjekur nga më shumë se 32.500 spektatorë vendas e të huaj.

“Sivjet është edicioni i nëntë i Festivalit, i cili parashikohet të zhvillohet në datat 17 – 24 korrik 2008. Si në çdo edicion, kërkohet një angazhim e përkushtim maksimal nga organizatorët, të cilët kanë kohë që kanë filluar përgatitjet dhe tashmë programi i Festivalit është i përfunduar së bashku me kontratat e shfaqjeve. Por ne, si miq dhe dashamirës të festivalit, me shqetësim po vëmë re se mbështetja nga shteti shqiptar në këtë vit është e pamjaftueshme dhe përbën në shifra absolute vetëm gjysmën e shumës së edicionit të parë. Në këto kushte Festivali ka nevojë të ngutshme angazhimin tuaj zyrtar në lidhje me mbështetjen që MTKRS duhet t’i akordojë atij, pasi koha është në kufijtë e saj, duke vënë në pikëpyetje zhvillimin e tij”, - thuhet në letrën e firmosur nga mbi 20 artistë, aktorë, regjisorë e dashamirës të teatrit, si Agim Qirjaqi, Mirush Kabashi, Stefan Çapaliku, Margarita Xhepa, Marjeta Ljarja, Luiza Xhuvani, Maks Velo, Albert Minga, Timo Flloko, Adriatik Kallulli, Saimir Kumbaro, etj. Kjo nuk është hera e parë që “Butrinti 2000” vendoset përpara vështirësive të këtij lloji. E njëjta situatë u krijua gjatë periudhës kur në krye të MTKRS-së ishte Bujar Leskaj, i cili pas shumë përpjekjesh firmosi një shumë prej 7 milionë lekësh. E ndërsa shteti gjithnjë e më tepër i kthen shpinën kulturës, edhe pse predikon të kundërtën, e njëjta gjë ndodh edhe me sponsorët privatë. Të parët në financimin e aktiviteteve “rozë”, gjithnjë e më pak po ndihmojnë zhvillimin e artit të vërtetë. E në këtë situatë, ditë të vështira e presin edhe më tej kulturën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›