E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës Ballagat - Peqin


Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Ballagat - Peqin, një investim i buxhetit të shtetit. Sipas burimeve të Zyrës së Shtypit të Qeverisë, të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, përfaqësues të pushtetit vendor, kandidati i Partisë Demokratike për Kryetar të Komunës së Ballagatit, Sherbet Shala, i cili kandidon për këtë detyrë në zgjedhjet që do të zhvillohen në 2 gusht 2009, etj. Kryeministri përshëndeti projektin e kësaj rruge, e cila lehtëson shumë jetën e banorëve të kësaj zone. Kryeministri tha se me këtë rrugë, së bashku me Boshtin e Jugut dhe rrugën që kalon në Belsh, Kosovë, zona dhe e gjithë Dumreja njeh një urbanizim të madh dhe dalje më të shpejtë të prodhimeve në treg.


"Dua t’ju shpreh kënaqësinë time të veçantë që inaugurojmë sot punimet në këtë rrugë që lidh Lushnjën me Peqinin, e cila ndihmon dhe lehtëson shumë jetën e banorëve të komunave të kësaj zone, një zonë jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, me një prodhim bujqësor të madh. Me këtë rrugë, së bashku me Boshtin e Jugut dhe rrugën që kalon në Belsh, Kosovë, ne i japim një urbanizim të madh kësaj zone, Dumresë dhe bëjmë që dalja në treg e prodhimeve të jetë shumë më e shpejtë.", tha Berisha.


Kryeministri theksoi se, ky është vetëm njëri prej projekteve jashtëzakonisht të rëndësishme për këtë zonë. "Dua t’i garantoj se në projektin tonë, infrastruktura moderne për të gjitha fshatrat e kësaj zone, asfaltimi i rrugëve të tyre, ujësjellësit, ndërtimi dhe rindërtimi i sistemit vaditës, janë projekte të tjera të cilat do të vijojnë në Ballagat dhe në mbarë Shqipërinë."-tha Berisha.


Ai u bëri thirrje banorëve të kësaj zone të mbjellin sa më shumë ullinj dhe i garantoj ata, " se do të financojmë çdo rrënjë ulli të mbjellë në këtë komunë dhe në të gjithë ultësirën bregdetare. Qeveria, në projektin e saj të mbështetjes së fuqishme për fermerët, katër vitet që vijnë do të subvencionojë çdo projekt të fermerëve të Ballagatit, të Myzeqesë dhe të mbarë Shqipërisë. Qeveria do të rrisë pensionet e pensionistëve në fshat dhe do t’i barazojë ato me ato të qytetit.".


Mandati i dytë, tha Berisha, është mandati i mundësive më të mëdha në tërë historinë e vendit, është mandati në të cilin ne jemi të bindur se do ta ndryshojmë Shqipërinë në atë mënyrë sa ajo të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga prapambetja shekullore që trashëgon. Mandati i dytë është mandati i fytyrës Evropiane të Ballagatit e të mbarë Shqipërisë. Mandati i dytë është mandati në të cilin ne do të bëjmë që qytetarët e Ballagatit dhe të gjithë Shqipërisë të gëzojnë ato të drejta, ato kushte jetese të denja për qytetarët evropianë. Ai ftoi banorët, "të merrni pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunën tuaj, të votoni për vazhdimin e ndryshimit. Shqipëria ka nevojë për besimin tuaj, për votën tuaj. Unë ju garantoj ju se kjo votë do të shndërrohet në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, pensione të larta, do të shndërrohet në mbështetjen më të fuqishme që keni njohur ndonjëherë për fermat tuaja dhe për zhvillimin e tyre.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›