E Diel, 1 Nëntor 2026

Keqardhja e turpshme për të paangazhuarit e Tito-Nehrusë, kur në Preshevë vazhdojnë reprezaljet

“Stafi” politik aktiv zyrtar në Kosovën Lindore ka dhënë një komunikatë, nga e cila është rudimentuar çdo lloj sintakse që do të tingëllonte si protestë ndaj “shkeljeve” (mbase “jo” dhunës) së policisë serbe mbi shqiptarët atje. Duke e ditur se Kali i Trojës tashmë është futur brenda portave kapixhike të shtëpive shqiptare, “subjekti politik” shqiptar ka thënë se do të urdhërojnë që “portat” e shtëpive në Kosovën Lindore të qëndrojnë të hapura, që policia serbe të mos ketë nevojë t’i thyejë ato me automjetet e blinduara policore, siç po praktikon kohëve të fundit. Ndërkohë “subjekti politik” zyrtar shqiptar (pushtetar i republikës së Serbisë së Tadiqit) për situatën e shtetrrethimit të Kosovës Lindore nga policia terroriste e Serbisë, e informon abstraksionin e quajtur “bashkësi ndërkombëtare” e cila vazhdon të jetë e shurdhër dhe e verbër para dramës që po ndodh në Kosovën Lindore, dhe e cila, sipas “subjektit politik shqiptar” e rikujton kohën e reprezaljeve të policisë së shtetit serb terrorist të kohës së Milosheviqit. Pra “subjekti politik” shqiptar në Kosovën Lindore “e merr me mend” se informata mbi situatën që i është “ofruar” “bashkësisë ndërkombëtare” (pa adresë), meqë është publikuar edhe në “mjetet e informimit”, me siguri i ka rënë “në sy” (jo në dorë) edhe “faktorëve” politikë në Kosovë, në Shqipëri dhe në “dimensionin shqip” të “maqedonishtes” së konstruktuar me “natyrën sllave të morfologjisë”. Prandaj nuk ka nevojë për “informatë me shkrim” mbi reprezaljet e terroristëve të shtetit zyrtar serb, sepse ajo do ta zyrtarizonte problemin aktual të shtetrrethimit policor në Kosovën Lindore, dhe kështu Kosovës dhe Shqipërisë do t’u merrej fytyra “paternaliste” e një “piemonti” që do t’i ngjante (rastësisht) formatit të kujdestarisë shtetërore të Serbisë mbi serbët e Kosovës. Pra rreziku nga paralelizmat politike ka qenë një karrem që nuk e ka hëngër kurrë “pjekuria politike” e kuislingëve të Kosovës Lindore, pikë së pari për shkak se në Parlamentin e Serbisë nuk do të kishin vend “terroristët” shqiptarë të Luginës, por vetëm luajalët. Po nëse i eskivojnë “paralelizmave politike”, atëherë pse nuk bëjnë “paralelizma të situatave” që do ta “alarmonin” abstraksionin pa adresë të “bashkësisë ndërkombëtare” mbi veprimtaritë e lejueshme terroriste serbe në Kosovën Veriore, që të shihet përmasa e “terrorizmit” të persekutuar shqiptar në Kosovën Lindore? Megjithatë nuk është fare pa sens qëndrimi i “subjektit politik” (zyrtar shtetëror serb) i shqiptarëve “të luginës” kur kanë vendosur të mos praktikojnë traktate politike zyrtare që do ta “politizonin” situatën e Kosovës Lindore edhe në përmasën gjithëkombëtare. Fundja ata janë shqiptarë, ne në Kosovë jemi “kosovarë”, ata në Shqipëri tashmë, përveç që janë territor konkret i Evropës, janë evropianë, edhe pse jo aq evropianë të mirë sa Tadiçi. Evropianë në qëndrimet politike të stabilizuar me kriterin e BE-së mbi “integrimet ballanike” me kufijtë e problematizuar që nga Konferenca e Londrës. Pos këtij fakti të njohur, shokët e “luginës” e kanë të qartë se momentalisht Kosova e ka hallin që nuk po di të integrohet me ata të paangazhuarit e shokut Tito, të Nehrusë e të Naserit rus. Plus kësaj në Kosovë njëherë është në opsion çështja e “korrupsionit” të liderëve pushtetarë dhe opozitarë dhe të vuajtjeve (kalvariste) që po përjeton “shoqëria civile” në luftë kundër këtij “korrupsioni” që po bëhet pikërisht në kohën kur eskadronët e blinduar të policisë “paqësore evropiste” të Tadiqit po u hynë në shtratin e fjetjes me autoblinda policore, sepse nuk i ndal dot “dera e hapur” si tip proteste disfatiste politike zyrtare parlamentare shqiptare në shtetin zyrtar të Serbisë në “luginë”. Pastaj “shoqëria civile” e zyrave evropiane në Kosovë tashmë e ka stabilizuar platformën politike me të cilën shqiptarët e Kosovës çdo problem që kërkon zgjidhje t’ia adresojnë “bashkësisë ndërkombëtare” e cila momentalisht, derisa po vazhdojnë reprezaljet, gjendet në pushimet e merituara vjetore. Nuk ka mundësi që “bashkësia (abstrakte) ndërkombëtare” të qëndrojë kujdestare ambulante mbi situatën që ta përkujton kohën e regjimit të Milosheviqit në Kosovë. Ndërkaq, Shqipëria-mëmë momentalisht e ka fokusuar vëmendjen te KQZ-ja dhe Komisioni Zgjedhor, dhe që gati një muaj po numërojnë votat e zgjedhjeve më demokratike në historinë shqiptare evropiane. “Subjekti” politik (zyrtar) i “luginës” do të bënte mirë po t’i drejtohej diasporës, se hairi i Shqipërisë dhe i Kosovës i ka lënë më, po aq sa i ka lënë edhe hairi i “bashkësisë ndërkombëtare”. Ose më së miri që kanë vendosur kështu, t’i lënë hapur dyer e shtëpive që të hyjnë pa rezistencë në shtratin e fjetjes autoblindat e terroristëve shtetërorë serbë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›