E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dyti i përjetshëm

Në këto ditë në Amerikë po festohet 40-vjetori i shkeljes së njeriut të parë në Hënë. Po flasim për një nga ngjarjet që ka lënë emocione të jashtëzakonshme në mendjet e atyre njerëzve që e përjetuan minutë pas minute, përveç shqiptarëve të thjeshtë gjatë diktaturës, kuptohet. Çuditërisht edhe sot të gjithë njerëzit në kujtesën e tyre kanë emrin e Neil Amstrongut si njeriu i parë që shkeli në Hënë. 

Është plotësisht e vërtetë se: ai është i pari dhe nuk ka pasur të tjerë përpara tij, me sa dimë. Veçse vetëm 14 minuta mbas Amstrongut në Hënë shkeli edhe Buz Aldrin, që është njeriu i dytë në satelitin e tokës. Çuditërisht në kujtesën tonë, për atë çast gjigand për njerëzimin, hapi i dytë i vogël i Aldrinit nuk kujtohet pothuajse prej askujt. Në këtë rast nuk mund të pyesim, pse, historia në rrugën e saj është shumë cinike. Ajo kujton vetëm njëshat, të parët, fituesit. Dyshat harrohen në sirtarët e historisë. Nga ana morale ka shumë për të thënë, por morali është moral dhe historia është histori.

Mirëpo ka raste në botë kur i dyti kërkon të jetë i përjetshëm. Edhe humbës të jetë, por dëshiron të jetë i përjetshëm. Ky rast i rrallë është i qartë vetëm në Shqipëri, fill mbas etapës së tanishme elektorale. Po flasim për kryetarin e Partisë Socialiste, humbëse të zgjedhjeve, i cili as që e mendon të japë dorëheqjen. Natyrisht deri tani arsyet janë banale dhe duke qenë të tilla janë nga më të ndryshmet. Një nga manovrat e tij të qarta dhe lehtësisht të shikueshme është spostimi i vëmendjes nga selia e PS-së tek ajo e LSI-së. Nën pretekstin e rinumërimit të votave në qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Beratit, ai po kërkon të fitojë kohë materiale për riorganizimin e trupës së tij për kongresin a mbledhjen shqyrtuese të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kryetari i PS-së e di mirë se këto zona elektorale, që ai i kërkon në mënyre pothuajse histerike dhe agresive çdo ditë, janë çertifikuar nga komisionerë socialiste dhe verdikti është tashmë i pakthyeshëm ligjërisht. 

Fitimi nergut i kohës për rimëkëmbjen e shtabit atij i kërkohet jo nga idetë pa brumë që mbron, por shkurt nga biznesmenë që kanë lënë leshtë duke e ndjekur në beteja qorrsokake: si nekropolitika, demonizimi familjar, enciklikat e prasit, ekologjia hipokrite... 

Më shumë se unë, këto i vërtetojnë fjalët e tij shtinjake se kinse rrokopuja paszgjedhore që po përjetojmë, siç po përjetojmë edhe vapën, është faj i KQZ-së: por kjo është sikur hajduti të thërriste kapeni hajdutin apo ujku të klithte: ikni, se erdhi ujku. Të kuptohemi, jo se Edi Rama është hajdut apo likantrop, larg o Zot, por kur vetë e ndryshon në tavolinë e pa pyetur njeri Kodin Zgjedhor në favor të partisë së tij dhe kundër LSI-së, afërmendsh pastaj nuk mund të marrësh pozat e moralistit. Nëse ti kërkon me çdo kusht të futësh nën sqetull një parti politike, e cila kërkon nga ana e vet të mbetet gjallë në skenën politike, gjithçka shndërrohet në një operacion me taktika bllokuese që degjeneron më keq se një krim, degjeneron në një gabim që të anullon gjithçka. Nëse përdorim të njëjtën metaforë që përdor edhe ai, mund të themi se për martesën PD-LSI, ai vetë është shkesi i kësaj lidhjeje. Ai e ka parfumosur e stolisur nusen, që nga 2005 e deri në 2009 përpara syve të botës, ndërkohë që tani e përgojon si kurvë që ka konsumuar adulter. Kuptohet vetiu, edhe me metaforë, se sa më shumë gabime të bësh, aq më shumë defekte prodhon, e vetvetiu pastaj në klasifikimin elektoral përfundon i dyti (në rastin më të mirë).

Skuadra politike e PS-së numëron shumë individë që kërkojnë të jenë prijës, njësha, të parë, por që realisht tani kanë fatin të mbeten dysha të përjetshëm. Po marrim vetëm dy politikanë të majtë: Ben Blushin dhe Ben Malajn. Ata po kërkojnë publikisht të jenë njësha në një parti që për faje politike apo taktike të lidershipit është e dyta. Dy Benat tani nuk ecin më vetë, ata po kërkojnë të bëjnë një lojë me dy fronte, duke spekulluar sikur Malaj nuk përfaqëson vetveten por idetë e Fatos Nanos, kurse Beni tjetër shpresat e socialistëve të rinj e ndoshta jo krejt të korruptuar.  

Mirëpo, një fragmentim kësisoj, krejt copa-copa, i cili respekton gjenin e sëmurë të së majtës evropiane, i implantua në Shqipëri edhe nga politika e re. Kjo sëmundje e socialistëve i ngjan sloganit “me vokacion maxhoritar” të socialistit italian Veltroni, i cili pasi humbi një palë zgjedhje lokale administrative, e dha dorëheqjen. Kjo sëmundje e re është po aq e vjetër, përderisa vjen direkt nga Oksidenti, si pasojë e  turbullirës së vlerave që mbretëroi në ato qarqe, qysh mbas rënies së Murit (mendor) të Berlinit. Anëtari i kryesisë së PS-së Ben Blushi, medoemos na mundon të thotë me intervista se: “Ai (Rama) përpiqet të asgjësojë partinë dhe të pengojë veprimtarinë e saj, duke ndjekur rrugën e oportunizmit”. Të tjerë ose si myzeqari i degës së PS në Lushnjë po të njëjtën gjë thotë: “ai fshihet nëpër limere”. 

Sot shtytja bazike që e bën të sulmojë majtas e djathtas është amplifikimi i kultit të vet - paçka pse rrezikon të jetë dyshi i përjetshëm në Shqipëri - në parti ai dëshiron të jetë i pari ndër dysha. Oponenca politike dhe ideore brenda partisë së tij ngjajmë me ato qelizat separatiste të një trupi që ka hyrë në gangrenë. Kolltuku i rehatshëm i bashkisë së Tiranës i lejon të kultivojë kultin individual që nëpërmjet rekrutimin, ndereve dhe si rrjedhojë, vasalizimin e individëve të rinj e të vjetër.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›