E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëritja e sjelljes politike

-PS (1996): “Tërhiqemi nga votimi” 

-Rama (2009): “Nuk tërhiqemi nga numërimi”

Ai që, i pari, shqiptoi se, ekstremet puqen, ka thënë një mendim për përherë. Qysh nga zgjedhjet e vitit 1996, kanë kaluar trembëdhjetë vjet dhe ato janë arkivuar për t’iu nënshtruar analizës historike. Por dita e votimeve parlamentare e vitit 1996 dhe ditët e paszgjedhjeve të 28 qershorit 2009, janë përsëritje e sjelljes politike nga Partia Socialiste, që përputhen në mënyrë të habitshme. Atëherë, pra më 1996, ka mbetur e pashembullt komanda e paracaktuar për komisionerët socialistë: “Tërhiqemi!”. Siç dihet, ata i braktisën qendrat e votimit, sepse ishte e sigurtë humbja dhe, çështje fitoreje u arsyetua ndotja e zgjedhjeve. Dhe, socialistët mundën: zgjedhjet u ndotën, deklaruan se nuk do t’i njohnin dhe grupi i tyre parlamentar nuk u paraqit as edhe njëherë të vetme në sallën e kuvendit. Kjo strategji u ndërthur me keqpërdorimin e skemave piramidale dhe, Shqipëria përjetoi rebelimin komunist të vonuar. Këtëherë, më 2009, të  sigurtë se do t’i fitonin zgjedhjet, opozita dha kumte qetësie në ditën e votimit, por kur e panë se humbën, po ai grup funksional i 1996-s, veçse me kryetar tjetër, në Fier për pak krijoi një situatë të rrezikshme kaosi e dhune. Më pas, me gojën e tij, kryetari i parties lëshoi thirrjen, “Nuk tërhiqemi nga numërimi!” dhe kërcënoi se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet. Atëhërë ato i ndotën gjatë votimit, këtëherë u bënë përpjekje për ndotje gjatë numërimit. Atëherë vepruan që ditën e parë, këtëherë vepruan ditët më pas. Kjo humbje u përjetua dyfish:  humbja e Partia Socialiste, por si gjëmë përjetohet humbja e strategjisë dhe filoziofisë zgjedhore të kryetarit Edi Rama. Aq përbaltëse shëmbëllen këmbëngulja për t’i klasifikuar zgjedhjet në asgjë sa që, synimi logjik i kësaj politike është ky: le të dëmtohet deri në fund Shqipëria, mjafton të viktimizohet humbësi. 

Por rezultati është publikuar dhe asgjë nuk pritet më përveç gjykimi i kolegjit zgjedhor e pastaj puna e koalicionit për krijimin e qeverisë së re. Përbetimi i kryetarit Rama është si faza e tretë e politikës së tij, nëse të parën quajmë humbjen dhe të dytën përbaltjen e zgjedhjeve: Rama, siç duket, më shumë për t’u mbrojtur si humbës, paralajmëroi se nuk do t’i njohë zgjedhjet dhe nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me pozitën dhe se do të bëjë që qeveria të jetë jetëshkurtër, për t’i dhënë edhe LSI një mësim të ri, i pangopur me frymë ndëshkuese. 

Të dy politikat e socialistëve, filozofitë dhe strategjitë e saj në të dy zgjedhje, 1996 dhe 2009, dolën në një qafë:  të mos njohin zgjedhjet kur humbin. Por, kësaj here, nuk do të ndodhë si atëherë, sepse ligjin zgjedhor e parqiti Partia Socialiste, dita e votimeve ishte e qetë dhe korrekte, policia e shtetit pati sjellje të shkëlqyer, transparenca e plotë dhe infrastruktura moderne. Komisionet zgjedhore të socialistëve ishin në krye të punëve dhe, ata nuk meritojnë të fyhen e kërcënohen nga forca e vet politike. 

Baraspesha e pabesueshme është provë cilësore e rregullësisë së zgjedhjeve sa, mund të thuhet që, me këtë baraspeshë thuajse statistikore, edhe vende me demokraci të zhvilluar e përvoja zgjedhore të mëdha, nuk do ta kishin përballuar më mirë. Kjo është një thirrje për ardhje në vete, dhe se, nuk guxon askush, as nga opozita dhe as nga pozita, ta nëpërkëmbë ekuilibrin, të përdorë gjysmën për t’ia vërvitur gjysmës. Fituesi dihet, humbësi dihet, koalicioni dihet. Secili ka punët e veta, por Partia Socialiste ka dy: të përgatitet për të luajtur opozitën bashkëpunuese për ecjen e shpejt të vendit drejtë Bashkimit Europian dhe, të kryej analizën e shkaqeve, pse humbi. Kjo është çështje e brendshme e partisë, por humbja ishte asisoj që solli dëshpërim përballë yshtjeve të ndezuara për pushtet. Opozita nuk do të mundet të mos i njohë zgjedhjet, nuk do të mundet të bojkotojë kuvendin, nuk do të mundet të jetë destruktive, nuk mundet që mbi zgjedhjet më të mira që ka kryer ndonjëherë Shqipëria, të vërvitet baltë e madhe që, të kujtojnë se ky vend do të ndotet siç e ndotën më 1996. Mjerimi i vërtetë politik: “politika e re” ka këshilltarë te vjetëruar. Shqipëria e NATO-s nuk mund të përdhoset më me mosbindje opozitare “Made in 1997”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›