Nuk bëjnë të gjitha mizat mjaltë
“Gënjeshtra njerëzore ka filluar me turpin” - M.Prust
Disa analistë të majtë sillen si të çuditshëm. Edhe e ngrejnë njeriun në qiell, edhe e shajnë pse i rritet mendja. Kur dihet që askush s’e njeh veten, pse tenton ta bindësh që është misionar? Lajka ka prishur edhe njerëzit e mëdhenj. Janë të rrallë ata që u kanë rrezistuar servilëve. Autoritaristët janë dhe pasojë e manive të lajkatarëve. Varfëritë e skajshme kanë ushqyer në shekuj idolatrí të rreme. Këto të fundit kanë shtypur pastaj të uriturit entuziastë. Edi Rama përfundoi si shkaktar i humbjes së të majtës, edhe për faj të atyre që e trajtuan si një “Zeus”. Analistët janë të fundit në defterin e atyre që e bindën Ramën se ishte një udhëheqës jo i zakonshëm. Të parët qenë ideatorët e sistemit të “kopaçes”, gjithë misionarët shpirtzinj të degradimit të kombit, të cilët, të mësuar me shtypje, nuk mund të jetonin pa një “ikonë” cfilitëse. Të tillë këta arritën të bënin Edvin Ramën. Mercenarëve të lumturuar prej mëkateve, atyre që nuk janë penduar për bëmat e djeshme, u duhej një i “kryqëzuar”, që të zbutnin sadopak fajet e veta dhe të akuzonin një shoqërí, që përmbysi sitemit e “hurit e të litarit”. Rama e ka mbyllur tashmë ciklin e vet politik. Ai nuk është aq i trashë, sa ç’e pandehin ca analistë të majtë. Vetën se nuk është bindur ai për këtë epilog të turpshëm. Megjithatë, duke dashur t’i dilte kësaj të keqeje përpara, ai pati ulëritur me kohë që nuk ishte politikan. Pati deklaruar se donte vetëm të bënte politikan sovranin. Ta mbushte qeverinë dhe parlamentin me mjelëse lopësh, karrocierë e teneqexhinj të “shkolluar”. Kurse militantët fanatikë dhe këshilltarët e tij “kasapë” kërkojnë ta rrjepin sot si viktimën e tyre. Turp të kenë ! Harrojnë që një ditë mund t’u kthehet Rama e t’u kërkojë hesap. T’u thotë që ishin ata që e morën më qafë ! Që Rama pushtetin e deshi vetëm nga halli. Kurse ideologët e shpifjes, panë tek ai një “kurban”, me të cilin, nëse nuk fitonin zgjedhjet, të akuzonin kundërshtarin, që kishte mashtruar një misionar si Rama (!) Enver Hoxha ishte kriminel i lindur, megjithatë nuk mund t’i kryente të gjitha mënxyrat vetëm. Kurse xhelatët e epokën së lulëzimit të frikës nga vetja po tentojnë t’ia ngecin vetëm atij përgjegjësínë e ferrit komunist. Të mbetur si peshku pa ujë, sidomos pas dorëheqjes së Nanos, gjithë mëkatarët komunistë deshën një kadí tip maskarái, një kryetar sekserësh, i cili, i tmerruar për zullumet që kish kryer, t’i dukej ferra Ibrahim. U duhej, pra, një despot i trembur për vete, i cili t’i urdhëronte, por dhe t’i mbronte si stalinistë të betuar. Dhe zbuluan ambiciozin Ramë, këtë politikan pa taban dhe tregtar pazaresh të pista, i cili zuri të blinte edhe kuadrot e partísë me sheshe ndërtimi, apo me poste partiake të pamerituara. Dhe Rama e kreu shkëlqyeshëm këtë detyrë. Madje, ai kreu gjithçka që i frytën në vesh “peshkaqenët” e vjetër të partisë. Por ai s’mund të shpëtonte nga deliri i madhështisë, kur lakejtë i shtruan qilimat të ngjitej në Olimpin e adhurimit? Ndoshta, pikërisht këtu mori të tatëpjetën dhe lavdia e tij e rreme, edhe pse ky qyqar brodhi anekënd fshatrave të Shqipërisë për t’i bindur gjithë të majtët se do t’u mbulonte mëkatet, me të cilat i kish ndotur dje diktatura. Se do t’u falte pronat e “kulakëve”, që këta kishin rrahur me kopaçe, pasi i hipnin mbi gomerë. Do t’u jepte “tapi” gjithë të papronëve; gjithë atyre që kishin mësuar përmendësh këngën perverse të Leninit : “Toka i takon atij që e punon !”. Do të përtërinte, pra, kështu luftën e klasës në forma të reja. Do t’u gjente nga një “fole pëllumbi” dembelëve, që, për partínë, kishin denoncuar nënën dhe babanë e tyre, e tj. Kushedi sa qeshet me vete Rama me këta filozofë të shkatërrimit, tek i dëgjon që t’i kërkojnë të japë dorëheqje. Sikur nuk e kupton vetë Rama që, për të, nuk ka zgjidhje tjetër ! Sikur nuk arritka “gjeniu” Rama të nuhasë te dorëheqja gjestin, që mund ta bëjë të ketë sy e faqe të dalë në mexhelís, e tj. Por Rama sot ka një tjetër hall. Ai nuk jep dorëheqje pa siguruar ç’ka fituar me aq telashe. Nuk e dorëzon ai postin e kreut të partisë pa kushte. Nuk largohet Rama pa u siguruar që nuk përfundon në hotelin pa qirá. Pa u bindur se socialistët idealistë nuk do ta shpojnë me shkop si humbës të zgjedhjeve. Nuk do Rama ta humbasë krejt respektin që krijoi tek naivët, që e mbajtën për kryetarin më të suksesshëm të një bashkie kryeqyteti. Kurse analistët mbyten me pështymën e tyre, duke dashur t’i mbushin mendjen se nuk u tregua politikan i aftë, as pragmatist e diplomat. Nuk arriti të bashkonte të majtën. Ndërkohë Rama habitet me këto “koka” të politikës që paskan besuar vërtet se ai qënkësh një “pehlivan” modern, një opozitar i denjë për të përballuar një të djathtë, e cila i kishte të fituara zgjedhjet që me mbajtjen e premtimeve. Rama i dinte këto, prandaj nuk u befasua prej humbjes. Tërë kohën ai vrau mendjen për “justifikimin” e dështimit. Kurse të majtët e tij mendojnë endé bardhë e zí. Asnjëri prej tyre s’e paska kuptuar pse Rama nuk kandidoi për deputet. Pse deklaroi që, më mirë hiqte dorë nga çdo pushtet, sesa ta ndante atë me Metën. Që shpifjet dhe sharjet e tij nuk ishin të një burri shteti ! Pse s’çau kokën për të krijuar koalicione sa më të gjera. Përse nuk i lëshoi “zagarët” e mandatuar për deputet të mbledhnin kudo vota. Pse nuk pranoi të ballafaqohej me liderët kundërshtarë dhe, së fundmi, pse shpërfilli gjithë aleatët e vet besnikë. Shkurt, Rama ka qënë i sinqertë me të majtët e vet. Ai qe dhe mbeti një anarkist që, për të mbrojtur fitimet e veta, kërkoi e gjeti një “gardë pretoriane”, një parti të braktisur, një avokaturë njerëzish të fanatizuar, të cilët t’i bëheshin “barikadë” ndaj akuzave për zullumet. Dhe kaq. Kaq ishte kërkesa e tij ndaj partisë. Natyrisht, kaq do të ishte edhe përkushtimi i tij për ardhmërínë e saj. Se ai, amá, u përpoq shumë të arrinte majën e piramidës së PS-së. Prandaj, ndërkohë që analistët e majtë çjerrin faqet me thonj për humbjen e P.S.-së, Rama, ndoshta, thotë me vete: “Sa të trashë janë! Harrojnë fjalën e urtë: Të rrojë manastiri, se kallogjerë gjen plot!”. Dhe kallogjerët po shfaqen në skenë një nga një, madje, me një ambicie të admirueshme për pushtet absolut. Natyrisht, Rama nuk mund të dalë sheshit kaq moskokëçarës. Nuk bëhet shaka me ëndrrat e njerëzve. Ai do të luftojë doemos deri në fund të shtyjë rezultatin e zgjedhjeve. Të bëjë dhe ndonjë kërcënim, sa për të mos u zbuluar krejt indiferenca e tij e pafalshme. Do të përpiqet, pra, Rama si tigër të arrijë atë garancí, që e shpëton nga akuzat. Kurse për dorëheqjen e tij, e di si buka që ha, se do t’i duhet ta japë. Ndërsa sedrën e vet formale e qetëson me idenë se paraja është vetë pushtet, për budallenjtë e majtë kujton fjalën e urtë: “Nuk bëjnë të gjitha mizat mjaltë!”.
...