E Martë, 3 Nëntor 2026

Fillojnë shirat e vjeshtës / Prefektura në Shkodër kërkon angazhim nga bashkitë

Me qëllim përballimin e stinës së dimrit e veçanërisht nga reshjet e parashikuara për ditët vijuese, Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni, mblodhi  komisionin e mbrojtjes civile. Angoni e sheh situatën këtë vit më të qetë, kjo edhe për shkak të hapjes së kanaleve kulluese gjë e cila pritet të japë ndikim pozitiv në ditët vijuese ku parashikohen reshje intensive

“Deri tani situata duket e qetë janë marrë të gjitha masat, janë hapur kanalet e para, të dyta  që i përket bashkive dhe drejtorisë rajonale. Po bëhen disa punime në përrenj që kanë shkaktuar përmbytje të vazhdueshme. Kështu që presim të jemi mirë edhe në sezonin që vjen. Problematik mbetet strukturimi i drejtorive në çdo bashki për sa i përket personelit”, tha Majlinda Angoni, prefekte e Qarkut Shkodër.

Angoni ka kërkuar angazhimin e çdo strukture në qark, si e vetmja mundësi për parandalimin e përmbytjeve apo evitimin e problemeve në zonat malore.

“Sipas raportimeve dhe konkluzioneve që dolën nga mbledhja jemi në situata pozitive”, tha Angoni.

Shqetësim për prefekturën vijojnë të jenë disa Bashki të cilat ende nuk kanë hartuar dokumentin e riskut dhe planet lokale. Shkodra vijon të jetë ndër qarqet me risk të lartë sa I takon përmbytjeve por edhe situatës së krijuar nga reshjet e dëborës në zonat malore.

Gazetare: M. Gjoni

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›