E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillojnë sot regjistrimet e fituesve në "part-time"

Fituesit e studimeve part-time në Universitetin e Tiranës, emrat e të cilëve janë bërë publikë dje në të gjitha dyert e sekretarive të fakulteteve, nga dita e sotme mund të nisin me procedurat e regjistrimit. Afati i fundit i regjistrimeve të studentëve të rinj të sistemit part-time është data 19 dhjetor. Dokumentet e domosdoshme për regjistrim janë: dëftesa e pjekurisë së shkollës së mesme, ose një diplomë tjetër studimi e fituar jashtë vendit, e vlerësuar si e barasvlershme me të; një dokument identifikimi (certifikatë lindjeje me fotografi ose pasaportë); dy fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh. Listat e fituesve janë afishuar sipas një rendi zbritës, pasi sipas drejtuesve të fakulteteve të ndryshme si kriter bazë në përzgjedhjen e kandidatëve fitues është marrë mesatarja. Në rang vendi, numri total i fituesve është 4845 në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave, që përcakton edhe kuotat për këto studime me kohë të pjesshme. Ndërkohë që mësohet se ka ende shpresë edhe për ata që janë afër vijës së fituesve. Kjo pasi mendohet se drejtuesit e fakulteteve që kanë mundësi të ofrojnë këtë lloj studimi për më shumë kandidatë, do bëjnë një tjetër kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit për kuota shtesë.

Për përzgjedhjen e studentëve të këtij sistemi në të gjitha fakultetet u ngritën komisionet e posaçme, si dhe u bë paraprakisht përcaktimi se "kriteri seleksionues për të gjitha degët ku janë kryer më shumë regjistrime se sa kuota të akorduara do të jetë mesatarja e shkollës së mesme".
Degët që kanë pasur fluksin më të lartë të regjistrimeve kanë qenë Psikologjia, degët e Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë, Ekonomiku, por edhe Gjuhë-Letërsia. Kërkesa të shumta janë paraqitur këtë vit edhe pranë Universitetit Bujqësor.

Numri i aplikantëve të regjistruar për të vazhduar studimet part-time ka qenë më i lartë se sa kuotat e miratuara nga qeveria. Ky fluks i madh të interesuarish ka ardhur si pasojë e ndërprerjes së këtyre studimeve për një vit. Ndërkohë që bëhet e ditur se

mungesa e kapaciteteve të fakulteteve ka bërë që kuotat e pranimeve të jenë të kufizuara. Për këtë vit akademik, Këshilli i Ministrave miratoi për të gjitha universitetet publike të vendit rreth 4845 kuota pranimi për studimet part-time, ato në distancë, si dhe për transferim studimesh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›