Fillon Universiteti Veror Ndërkombëtar

Rreth 600 studentë nga vendi dhe të huaj nga të gjitha viset e botës, nga data 22 korrik deri më 2 gusht, do të jenë pjesëmarrës të Universitetit Veror Ndërkombëtar, që tashmë është tradicional, me ç`rast do të ndjekin kurse të ndryshme si dhe do të këmbejnë përvoja akademike.Në hapje ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Buja, i cili i përshëndeti pjesëmarrësit e këtij universiteti. Duke folur për rëndësinë e këmbimit të përvojave dhe qëllimin e këtij universiteti, Buja vuri në pah edhe krijimin e miqësive që do të lidhen gjatë takimeve mes studentëve vendas e atyre të huaj. “Jo rastësisht thuhet se armiqësitë krijojnë të pabërat dhe të zezat e botës, ndërsa miqësitë krijojnë mrekulli”, tha kreu i MASHT-it.
Punën e Universitetit Veror e shpalli të hapur rektori Ibrahim Gashi.
Ky është Universiteti i 13-të Veror Ndërkombëtar që organizohet me sukses në Prishtinë, ndërsa sipas agjendës, pjesëmarrësit, përveç tjerash, do të ndjekin kurse nga disiplina të ndryshme si shkencat sociale, juridike, ekonomike, bujqësore, arti, mjekësia etj., ndërsa ligjërues do të jenë profesorë vendorë dhe të huaj.