Egjipt, 15 ushtarë të vdekur në aksident trafiku

Në një aksident të sotëm trafiku në Egjipt, 15 ushtarë të këtij vendi kanë humbur jetën, kurse edhe 40 të tjerë janë plagosur, pasi autobusi me të cilin udhëtonin është përplasur me një kamion.
Aksidenti ndodhi në autostradën el-Alamein, që lidh Kajron me qytetin port të Mesdheut, Aleksandrinë.
Sipas raportimeve, ata ishin duke udhëtuar për në shtëpi, për t’u bashkuar me familjet e tyre për pushime, gjatë muajit të Ramazanit, transmeton TCH.
Rreth 12 mijë njerëz vdesin nëpër rrugët e Egjiptit çdo vit, bën të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kushtet e mjerueshme të rrugëve dhe ligjet e dobëta të trafikut janë shkak i këtyre aksidenteve.
Në tetor, 21 anëtarë të forcave kombëtare të sigurisë ndërruan jetë pas një aksidenti me automjetin e tyre në gadishullin e Sinait, shumë pranë kufirit me Izraelin. Ndërsa nëntorin e kaluar, ministri i Transporteve dha dorëheqje, pasi 50 fëmijë të moshës 4-6 vjeç mbetën të vdekur, kur autobusi i shkollës së tyre u godit nga një tren, pranë Manfalut, 350 km në jug të Kajros./Indeksonline/