E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon kontrolli i pikave të gazit, rrezikonin tragjedi njerëzore

Masa emergjente për aktivitete të paligjshme të gazit dhe nënprodukteve të tij
Nën drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nisur dje aksioni për mbylljen e pikave të paligjshme të tregtimit të gazit në Tiranë. Zëvendësministri i METE-s, Neritan Alibali, deklaroi se për këtë aksion, që parashikohet të zgjasë tre ditë, është përgatitur një plan-veprimi me objekt mbylljen e këtyre veprimtarive dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë atyre që shkelin rregullat. Për këtë qëllim janë krijuar dy grupe kontrolli me përfaqësues të strukturave të Inspektoriatit Qendror Teknik, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Inspektoriatit të Ndërtimit, që do të mbështeten nga forcat e policisë. Alibali informoi se janë përcaktuar zonat e kontrollit mbi bazë minibashkie për secilin grup, si dhe u janë dhënë përgjegjësve të grupeve adresat përkatëse të identifikuara. "Grupet e kontrollit do të kryejnë edhe krehje të zonave të përcaktuara për këtë aksion, për të zbuluar dhe pika të tjera të paligjshme të përpunimit të gazit", nënvizoi Alibali, duke shtuar se në rast konstatimi të kundravajtjeve ligjore, grupet e kontrollit do të kryejnë procedimet përkatëse ligjore. Sipas tij, është konstatuar se procesi i transvazimit të GLN (gazit të lëngëzuar të naftës) nga bombola në bombol në pika shitje e ambiente brenda zonave të banuara është i pasigurtë, pasi nuk ka asnjë element sigurie teknike. Ky proces, vijoi ai, është klasifikuar në Grupin e Katërt të nivelit të sigurisë, që do të thotë se ka rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre. Alibali deklaroi se janë identifikuar një numër i madh pikash transvazimi e autogazesh të paligjshme në Tiranë që kryejnë këto veprimtari të rrezikshme dhe për tju përgjigjur kësaj situate në mënyrë energjike është planifikuar të kryhet një Aksion ndërhyrjeje ne të gjithë territorin e qytetit. Për këtë, tha ai, është përgatitur një Plan Veprimi me objekt mbylljen e këtyre veprimtarive dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve. Gjithashtu sipas zv/ministrit Alibali, janë identifikuar instalime të paligjshme të autogazeve pranë stacioneve të karburanteve për automjete brenda zonave të banuara, që klasifikohen me nivel rrezikshmërie të Grupit të Tretë dhe si të tilla duhet të mbyllen. Ky aksion i METE-s ka ardhur pas nënshkrimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për marrjen e masave emergjente për përmirësimin e situatës së sigurisë në këto aktivitete, nisur kjo nga mungesa e sigurisë, që është vërejtur në instalimet dhe impiantet që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre. Kështu, për realizimin e këtij objektivi, dhe në zbatim të VKM, u kijua menjëherë Grupi ndërinstitucional i Punës, i drejtuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ku bëjnë pjesë tre zv/ministra, (i METE, i MPPTT dhe i Ministrisë së Brendshme), si  dhe drejtuesit e Inspektoriatit Qendror Teknik (IQT), Inspektoriatit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar (INUK), agjencive rajonale të mjedisit (ARM) si dhe drejtorisë për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin (PMNZSH). Grupi i Punës, hartoi menjëherë udhëzimin e përbashkët të firmosur nga Tre Ministrat, për marrjen e masave për zbatimin e Vendimit nr. 114 të Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit, u përcaktua ngritja e Grupeve Rajonale të Punës, në rang qarku, nën drejtimin e Prefektëve, detyra e të cilëve ishte të identifikonin subjektet që nuk plotësonin kushtet e sigurisë, si dhe ato të cilat nuk janë pajisur me lejet dhe licencat përkatëse për ushtrimin e veprimtarisë. Nga informacionet e mbërritura konstatohet se situata më emergjente rezulton të jetë në përpunimin dhe tregtimin e gazit në Tiranë si dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›