Vrasjet e fundit në Shkozet, reagon PS e Durrësit
Ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Durrës ku janë vrarë dy persona, një i tretë është në gjendje kome, në prag të vdekjes dhe janë plagosur 5 të tjerë, brenda tre ditësh ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të PS të Durrësit që ka shprehur një shqetësim të madh për situatën e rëndë dhe kaotike të sigurisë së qytetarëve në Durrës, ku po vriten e plagosen qytetarë të pafajshëm e kalimtarët të rastit.
Kreu i grupit socialist në këshillin bashkiak të Durrësit Roland Xhelili deklaroi se veshja me uniformë e militantëve të paaftë dhe heqja nga policia e specialistëve nga policia ka qenë një nga shkaqet që ka sjellë degradimin e rendit dhe sigurisë në qytet. Ndodhem këtu jo vetëm si kryetar i grupit socialist në këshillin bashkiak, por edhe si qytetar i Durrësit për të ndarë me ju përfaqësues të mediave shqetësimin e të gjithë qytetarëve durrsakë për situatën tejet të rënduar të rendit dhe sigurisë që po kalon qyteti ynë Durrësi, u shpreh Xhelili, duke shtuar se brenda 48 orëve dy ngjarje tepër të rënda me bilanc tejet tragjik, dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur na kanë tronditur të gjithëve. Sipas tij, kjo ngjarje ka ardhur si rezultat i dështimit ditë pas dite për çdo detyrim e premtim të kësaj qeverie të paaftë në largim e sipër, dështimit i organeve të rendit nga qendra deri në drejtoritë e qarqeve, largimit të profesionistëve oficerë e policë dhe zëvendësimi i tyre me militantë që vazhdojnë të vishen me uniformë, dështimit të zgjidhjeve vetëm për efekte elektorale si ALUIZNI, paaftësia e qeverisë për të menaxhuar krizën që ka prekur shtresa të gjera të popullsisë e të tjera dështime të pafundme si këto. Duke bërë thirrje që të merren masa për të mos u përsëritur më ngjarje të tilla kaq të rënda, Xhelili i ka kërkuar qytetarëve të Durrësit të kontribuojnë në vendosjen e rendit dhe sigurisë në qytet me votën e tyre në 28 qershor për PS dhe programin e saj. Programi i ri i PS do të sjellë edhe shkëputjen edhe nga praktikat korruptive të rekrutimit të policëve mbi baza militantizmi e jo siç kërkohet në demokraci mbi baza profesionalizmi, u shpreh Xhelili.