E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: 2568 punonjës me kontratë për vitin 2009

Gjatë mbledhjes së djeshme Këshilli i Ministrave përcaktoi se numri i punonjësve me kontratë për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore do të jetë në 2568 punonjës. Qeveria i ngarkoi Ministrisë së Financave të miratojë detajimin e numrit të punonjësve, me profesione dhe afate kohore, brenda kritereve të vendimit të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, edhe për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale/përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore.
Duke iu referuar muajit të kaluar, ekzekutivi miratoi propozimin e ministrit të Financave, i cili parashikoi që numri i punonjësve me kontrata të përkohshme për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, do të ishte 2 430. Vendimi i marrë një muaj më parë, parashikonte që punonjësit e përkohshëm do të punësoheshin jo vetëm pranë ALUIZNI-t, por edhe në zyrat e gjendjes civile, si dhe në qendrat e transferimit të teknologjive të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në muajin mars ndryshimi në vendimin e qeverisë për shtimin e numrit të punonjësve me kontrata të përkohshme në zyrat e gjendjes civile në vend, u bë për shkak të zgjedhjeve, pasi në këto zyra po punohej për shpërndarjen e kartave të identitetit dhe listat e zgjedhësve. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, parashikoi për këtë vit të punësojë mbi 800 punonjës me kontrata të përkohshme. Sipas vendimit të muajit të kaluar, pas saj vinte Ministria e Bujqësisë, me rreth 200 të tillë. Instituti i Statistikave është një nga institucionet qendrore, i cili do të punësonte një numër të madh punonjësish me kontrata të përkohshme. Për këtë vit, INSTAT-i parashikoi të marrë në punë rreth 400 punonjës të tillë, kjo lidhur edhe me faktin që, gjatë 2009-ës pritet të nisë regjistrimi i popullsisë dhe banesave, proces i cili pritet të zgjasë deri në vitin 2011. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të muajit mars të këtij viti, parashikohej që në listën e ministrive që do të punësonin persona me kontrata të përkohshme, ishin edhe Ministria e Jashtme, e Punës dhe ajo e Ekonomisë. Ndërkohë, në listën e institucioneve qendrore, përfshiheshin Kuvendi i Shqipërisë, SHISH-i, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›