E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Qeveria e Berishës premtoi mirëqenie, por solli skamje e korrupsion

Programi i Qeverisë së PS, kundër papunësisë dhe varfërisë
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj është takuar me banorët e Përrenjasit për të prezantuar pjesë të Programit të Ri Qeverisës, por nuk ka ngurruar të hedhë akuza në adresë të kryeministrit Sali Berisha lidhur me varfërinë dhe korrupsionin e shkaktuar në 4 vjet qeverisje. Shqipëria nuk mund të durojë edhe 4 vite të tjera vuajtje, papunësi dhe tragjedi si ajo që ndodhi në Gërdec, u shpreh Leskaj. Duke iu referuar Programit të Partisë Demokratike në vitin 2005, Leskaj tha se kjo qeveri e ka humbur të drejtën të kërkojë votën e shqiptarëve. Sipas saj, PD u premtoi në program shqiptarëve mirëqenien dhe u dha varfërinë. Sot shqiptarët nuk janë më të pasur, por më të varfër se katër vjet më parë. Dhe këtë nuk e thotë vetëm opozita po shqiptarët, theksoi Leskaj, duke shtuar se Shqipëria nuk duron më edhe 4 vjet të tjera, sepse e ka lodhur papunësia, e ka lodhur varfëria, e ka dëshpëruar pamundësia për tu krijuar fëmijëve kushte minimale për jetë e shkollë, e ka dekurajuar vrasja e shpresës. Duke iu drejtuar qytetarëve Përrenjas, Leskaj tha se ne duhet tjua kursejmë fëmijëve tanë këtë situatë mjerane. Ne të gjithë bashkë kemi përgjegjësinë për të mos e lënë Shqipërinë edhe katër vjet të tjera  në duart e Berishës. Sot është koha të bëni zgjedhjen tuaj. Ndërkohë, duke iu referuar deklaratave të PD për rritjen e pagave të mësuesve, Leskaj tha se këto paga sot taksohen 6-8 herë më shumë se më parë, për shkak të rritjes së tatimit mbi të ardhurat. Kësaj i thonë ta jep me një dorë dhe ta merr me dorën tjetër, u shpreh Leskaj, duke shtuar se veç kësaj është hequr paga e trembëdhjetë. Më tej, Leskaj u ndal tek lufta kundër korrupsionit, duke deklaruar se qeveria u premtoi luftën ndaj korrupsionit dhe e rriti atë në përmasa galopante. Kjo qeveri ka humbur besueshmërinë, sepse i ka rënë karta e betejës anti-korrupsioni, u shpreh Leskaj. Sipas saj, gjithë enturazhi i Kryeministrit, ministra e këshilltarë janë përfshirë në afera korruptive. Ajo përmendi këtu tragjedinë e Gërdecit që sipas saj, shënoi kulmin e bëri xhiron e botës me jetët që mori. Kush mund të besojë sot te koalicioni i Gërdecit?, u shpreh Leskaj. Sipas Leskajt, korrupsioni i kësaj qeverie nuk ndalet vetëm tek Gërdeci, por ajo nuk ka lënë pa përmendur edhe skandalin tjetër, atë të rrugës Durrës-Kukës. Leskaj deklaroi se në këtë aks rrugor janë groposur miliona euro të taksapaguesve. Duke u ndalur tek taksa e votës, Leskaj tha se përpara se kjo qeveri tu kërkojë votën shqiptarëve duhet tu krijojë kushte për votën e lirë shtetasve. Ajo vlerësoi edhe rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Leskaj deklaroi se PS do të vijë në pushtet është alternative.Ne nuk e kemi mbështetur ardhjen tonë në qeverisje në dështimin e Berishës, u shpreh Leskaj. Kryetarja Leskaj shprehu rëndësinë e angazhimit të Partisë Socialiste për dy vjet me një punë shumë serioze për të bërë një program qeverisës serioz që do vazhdojnë ta prezantojnë në çdo qark. Kjo është diferenca e madhe me ata që sundojnë sot Shqipërinë përmes skamjes dhe korrupsionit, tha Leskaj.  Ndërkohë, Leskaj theksoi se kjo është garancia e fitores së PS në datën 28 Qershor. Beteja mes dy forcave të mëdha politike do të vazhdojë deri në 28 Qershor, ku do të jetë edhe finalizimi i gjithë kësaj lufte të përbashkët. Terreni luftarak politik përpara këtyre zgjedhjeve me një rëndësi tejet të madhe, është shndërruar në një terren mjaft të ashpër dhe hakmarrës, duke bërë që palët ti nxjerrin në shesh të palarat njëra-tjetrës. Ky sulm politik partiak po bën që këto zgjedhje të rrezikohen drejt dështimit të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›