Fillon ndarja e 93 milionë eurove që BE i ka akorduar kabinetit “Berisha 2” për vitin 2010
Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e KPS për lëvrimin e financimeve të KE për vitin 2010, në kuadër të marrëveshjes IPA
TIRANE – Diskutimi paraprak për lëvrimin e financimeve të Komisionit Evropian, në kuadrin e marrëveshjes IPA për vitin 2010, ishte objekti i mbledhjes së djeshme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, të drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Forcimi i institucioneve, por edhe infrastruktura, si dhe projektet në sektorin e rendit e sigurisë publike, ishin fushat të cilat do të kenë prioritet në shpërndarjen e këtyre fondeve.
“Qëllimi i këtij takimi është një diskutim paraprak, jo përfundimtar, për financimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, në kuadrin e marrëveshjes IPA për vitin 2010”, deklaroi Kryeministri Berisha në fillim të mbledhjes.
Më pas, ai u ndal në mundësinë e ndarjes së 93 milionë euro, pjesë këtij financimi vetëm për vitin 2010 nga rreth 270 milionë që arrin kjo shifër për vitet 2009 – 2001.
“Asistenca e programit në kuadrin e kësaj marrëveshje për Shqipërinë, në periudhën 3-vjeçare nga Komisioni Evropian, pra 2009-2011, është rreth 269.4 milionë euro dhe vetëm për vitin 2010 është 93 milionë euro. Nga kjo shumë 82.7 milionë euro janë për asistencën e forcimit institucional dhe 10.5 milionë euro për bashkëpunimin ndërkufitar. Nga muaji maj ka filluar puna, ministritë, agjencitë kanë paraqitur propozimet, kërkesat në përputhje me kriteret ose fushat për të cilat lëvrohet IPA: kriteri politik janë menduar rreth 20 milionë; fonde që parashikohen në përputhje me kriterin ekonomik, edhe këto janë rreth 16 milionë; fondet për aquitë janë rreth 41 milionë, pra është bërë, do të thosha, një studim paraprak mbi të cilin ne do të diskutojmë sot. Natyrisht ka vend për përmirësime, ka vend për ripozicionim të prioriteteve, ndaj dhe meqenëse më 1 shtator duhet të ketë marrë miratimin përfundimtar të këtij komiteti, gjykoj që të analizohet në këtë mbledhje. Ministritë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit kanë paraqitur sipas rubrikave të marrëveshjes, projekte të cilat kanë të bëjnë me kontrollin e kufijve, kanë të bëjnë me aftësimin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit, me mbrojtjen e të dhënave personale; kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, rrugëve dytësore kryesisht; kanë të bëjnë me zhvillimin e arsimit në tërësi dhe atij profesional në veçanti, programet Tempus, Erasmus; përmirësimin e infrastrukturës në sistemin e furnizimit me ujë, kanalizime; në mbështetje të agjencive të ndryshme, për të cilat mendoj se është e domosdoshme të ndalemi një nga një. Ka një listë shtesë projektesh, por nga ana tjetër, Departamenti i Koordinimit të Donacioneve dhe Ndihmave të Huaja, i ka shqyrtuar të gjitha këto kërkesa në përputhje me oferta të tjera që ekzistojnë nga institucione ndërkombëtare financiare, ç’ka është edhe në detyrën e tij, për të shmangur dublimet, gjë shumë e nevojshme”, deklaroi më tej Kryeministri Berisha në këtë mbledhje të djeshme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive.