E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtimi i fushatës elektorale, qeveria ul shpenzimet për transportin e zyrtarëve të administratës shtetërore

Kryeministri Sali Berisha premton se katër vitet e ardhshme do të adaptohen standarde që ul në shkallën më maksimale korrupsionin

TIRANE - “Taksapaguesit tanë nuk mundet që të paguajnë për transportin e një zyrtari 19 mijë dollarë, që përfshin shoferin, karburantin, mirëmbajtjen e automjetit etj. Ne kemi përcaktuar një objektiv shumë ambicioz dhe ky objektiv është që të rivendosim në këtë vend praktikat, standardet dhe normat e kësaj lufte në mënyrë që Shqipëria të synojë gradualisht të spostohet në 20 vendet më efiçente në luftën kundër korrupsionit”.
Kështu është shprehur në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri Sali Berisha, i cili ka paralajmëruar nismën e qeverisë për të shkurtuar me 2/3 shpenzimet për transportin e  zyrtarëve të administratës shtetërore. Aktualisht këto shpenzime shkojnë në rreth 2 miliardë lekë për të gjitha entet në të gjithë vendin.
Duke iu referuar premtimeve të fushatës elektorale, Kryeministri Berisha bëri të ditur se, tashmë ka ardhur kohë që ky premtim të bëhet standard. “Në shpallje të fushatës elektorale, kur unë paraqita para shqiptarëve ekipin e deputetëve të ardhshëm të Partisë Demokratike, në këtë takim ne morëm një zotim solemn: administratë shtetërore pa vetura. Duke vendosur standardin austriak, pasi Austria është një nga vendet me korrupsionin më të ulët në botë, ne kaluam nga qeveri e bodyguard-ëve në qeveri civile. Duke respektuar plotësisht bodyguard-ët për detyrën e nderuar që bëjnë, por nuk janë për qeverisje. Në këtë aspekt, duhet një administratë shtetërore krejtësisht tjetër”, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
Më tej, duke trajtuar gjerësisht këtë çështje, përmes edhe krahasimit të shifrave, Kryeministri Berisha bëri ët ditur se, “nga një përllogaritje, çdo automjet zyrtar u kushton taksapaguesve shqiptarë rreth 19 mijë dollarë në vit dhe ka variacione që duhet të jenë objekt kontrolli në të gjitha institucionet. Taksapaguesit tanë nuk mundet që të paguajnë për transportin e një zyrtari 19 mijë dollarë, që përfshin shoferin, karburantin, mirëmbajtjen e automjetit etj. Kjo do të marrë fund. Edhe në bisedat që kam zhvilluar për këtë çështje me anëtarët e koalicionit të ardhshëm, ata kanë shprehur mirëkuptim të plotë për këtë nismë. Ne duhet t’i japim fund kësaj situate të trashëguar, por edhe të toleruar. Nuk mundet kurë që shpatullat e taksapaguesve më modestë në Evropë të mbajnë më tutje një haraç të tillë. Ndaj duke adaptuar ligjin austriak, ne i japim përfundimisht fund dhe mbyllim një kapitull të trashëguar nga nomenklatura, një vazhdimësi e nomenklaturës së vjetër deri në ditët e sotme dhe e ekzagjeruar në disa aspekte”.
Kryeministri Berisha siguroi se kësaj praktike do t’i jepet fund dhe së shpejti do të dërgohet ligji në parlamentin e ri, i cili do të vendosë heqjen e automjeteve për zyrtarët nga barra shtetërore, si dhe do të përcaktojë një bonos të qartë për transportin e deputetëve dhe një bonos të qartë për transportin për një kategori zyrtarësh.
“Duke theksuar këtë qeveria është po kështu e vendosur të njohë bonusin e transportit për zyrtarët, vetëm se nuk mund të mos e them dhe shqiptarët duhet ta dinë se ky shpenzim transporti është 3 herë më i madh, sesa qeveria suedeze u jep deputetëve të parlamentit suedez, i cili në kompetencat e tij, në dijeninë time, është parlamenti më i fuqishëm i Evropës, i vetmi parlament që e zgjedh vetë kryeministrin dhe qeveria e saj, në emër të transparencës, u jep deputetëve të vet rreth 600 euro në muaj për shpenzime. Ndërkohë shikoni sa i kushton Shqipërisë transporti i zyrtarëve të saj. Llogaritja që ne bëjmë për shoferin, por që nuk mund ta marrim atë përgjegjës për këtë, por është situata e tillë, do të thotë se numri i shoferëve pjesëtuar për numrin e shpenzimeve si  blerje makinash, mirëmbajtje e tyre, karburant dhe paga të shoferëve del rreth 19 mijë dollarë. Kjo praktikë merr fund dhe ne me shpejtësi do të çojmë ligjin në parlamentin e ri, i cili do të vendosë me ligj heqjen e veturave të zyrtarëve nga barra shtetërore, do të përcaktojë një bonos të qartë për transportin e deputetëve, një bonos të qartë për transportin edhe të një kategorie zyrtarësh. Ju garantoj se këto shpenzime do të shkurtohen me 2/3... I siguroj shqiptarët se katër vitet që vijnë ne do të qëmtojmë e do të adaptojmë në vend çdo standard që ul në shkallën më maksimale shkallën e korrupsionit. Nuk them se udhëtimi ynë drejt 20 vendeve të para do të ketë shpejtësinë që ne duam, por ky udhëtim do të jetë i pandalshëm. Ndaj zoti Ministër i Financave, mbledhjen e ardhshme ligji duhet të vijë në qeveri”, përfundoi Kryeministri deklarimin për këtë argument, duke paralajmëruar miratimin sa më shpejt të projektligjit për këtë problem.
 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›