Kryeministri Sali Berisha shpërblen me 1 milion lekë policët e operacioneve të fundit për kapjen e kriminelëve
Vendimi dje nga qeveria - gati statusi për policët e vrarë dhe familjet e tyre
TIRANE - Këshilli i Ministrave vendosi dje të shpërblejë në masën 1 milion lekë, çdo punonjës të policisë së forcës së posaçme, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët morën pjesë në operacionin për kapjen e disa personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Vendimi parashikon që "lista me emrat e punonjësve të përcaktohet nga Ministri i Brendshëm".
Gjithashtu, vendimi parashikon që në buxhetin e miratuar për vitin 2009, Ministrisë së Brendshme t’i shtohet fondi prej 12 milionë lekësh, për shpërblimin e punonjësve që do të përcaktohen nga vetë Ministri i Brendshëm. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Kryeministri Berisha kërkoi dje që Ministria e Brendshme të paraqesë sa më shpejt në qeveri ligjin "Për ndryshimin e statusit të policëve të rënë në krye të detyrës".
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha ripërsëriti propozimin tij që "fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës të përfitojnë pagën e plotë deri në moshën 18 vjeç". "Pas kësaj moshe kjo pagë mund të konvertohet në pension për bashkëshorten apo në forma të tjera, por ne duhet të mbajmë premtimin e dhënë dhe ta sjellim sa më shpejt ligjin në qeveri", tha Kryeministri Berisha.