Fillon pastrimi i Ibrit në Mitrovicë
Ka filluar të hënën realizimi i projektit për pastrimin e brigjeve të lumit Ibër në Mitrovicë, vendosja e shportave për mbeturina dhe kontejnerëve, ndriçimi në anën veriore, si dhe pastrimi i gjithë ambientit në afërsi të këtij lumi.
Ky projekt multietnik i quajtur “Dua ti ushqej zogjtë në lum”, është financuar nga IKV Pax Christie nga Holanda, ndërkohë që iniciativa është dhënë nga organizata joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM) në Mitrovicë.
Afërdita Sylaj nga kjo organizatë, tha se disa herë kanë realizuar projekte për pastrimin e “Kejit” në anën jugore, mirëpo kësaj here është menduar që të pastrohet edhe lumi brenda, në mënyrë që qytetarët, gjegjësisht fëmijët, të kenë mundësi të shohin edhe lumin e pastër dhe rosat në lum.
“Përveç pastrimit të lumit ku do të mund të shihen më qartë shpezët, e cila si ide ka dal nga një fëmijë trevjeçar, qëllimi është edhe ndriçimi i kësaj pjese, në mënyrë që brigjet e lumit në të dy anët të jenë të kalueshme edhe gjatë natës”, ka thënë Sylaj.
Sipas saj, me vendosjen e dritave, kontejnerëve, shportave dhe pastrimit të lumit që është në dobi të qytetarëve, kjo është edhe përkrahje institucioneve të cilat përmes kompanisë së pastrimit do të mirëmbajnë këtë ambient në të ardhmen. /kosovapress/