E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mision i mundshëm

Trupat amerikane të KFOR’it paralajmërojnë se nga muaji shkurt do të marrin nën përgjegjësi, edhe veriun e vendit. Nëse ndodh kjo, i tërë territori i Kosovës në vijën kufitare me Serbinë, do të jetë nën përgjegjësinë amerikane. Paralelisht, Policia e Kosovës pritet të ndryshojë qasjen e saj ndaj Veriut. Ekspertët e sigurisë presin rezultate, para se të fillojë dialogu Prishtinë-Beograd. Nga Jeton Musliu më 27 dhjetor 2010 në ora 08:38

Me marrjen nën kontroll edhe të pjesës veriore të Kosovës, trupat amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, pritet të mbulojnë tërë vijën kufitare që ndan Kosovën me Serbinë.

Në këtë mënyrë, komanda amerikane me bazë në kampin Bonsteel afër Ferizajt, përveç sektorit 4, që përfshin rajonin e Gjilanit, pritet që nga shkurti i vitit të ardhshëm, të ketë nën kontroll edhe sektorin 2, që përfshin rajonin e Mitrovicës.

Paralajmërimi i komandantit të trupave amerikane në Kosovë, Francisco Neuman, se nga muaji shkurt do të mbulojnë edhe veriun e vendit, vjen vetëm disa muaj pasi e njëjta komandë, në muajin shtator, ka marrë përsipër edhe sektorin 6, që përfshin rajonin e Prishtinës.

Në këtë mënyrë, i tërë territori i Kosovës në tërë vijën kufitare me Serbinë, do të jetë nën përgjegjësinë e komandës amerikane, e cila vepron në kuadër të trupave të KFOR-it, që në vetvete ka edhe numër të caktuar ushtarësh të shteteve të tjera.

Komandanti i trupave amerikane në vend, Francisco Neuman, ka deklaruar për televizionin Klan Kosova se KFOR-i amerikan është i gatshëm për të reaguar në çdo kohë dhe në secilën pjesë të territorit.
Madje Neuman ka thënë se KFOR-i amerikan nuk do të zvogëlojë trupat e veta në Kosovë, të cilat aktualisht janë 810 pjesëtarë dhe, sipas tij, numri i madh i helikopterëve do t’ua bëjë atyre më të lehtë operimin.
Nga numri i përgjithshëm prej 8 mijë e 454 trupave të KFOR-it, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e tretë për nga numri i ushtarëve të tyre të dislokuar në Kosovë.
Aktualisht, e para është Gjermania me 1 mijë e 355 pjesëtarë, e pasuar nga Italia me 1 mijë e 247, ndërkohë që shteti me numrin më të vogël të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, është Estonia, me vetëm një person.
Në këtë mënyrë, duket se ngadalë por shumë sigurt, trupat e KFOR-it në Kosovë kanë pësuar ndryshime të mëdha në terren.
Kjo për faktin se Sektori 6 që përfshin rajonin e Prishtinës, dikur kontrollohej nga trupat e Mbretërisë së Bashkuar (Britanisë së Madhe) e cila tash ka vetëm katër pjesëtarë në kuadër të KFOR-it.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja thotë se marrja nën përgjegjësi nga KFOR-i amerikan të veriut të vendit, është shenjë e mirë se atje mund të fillojë rikthimi i sigurisë.
Por sipas Qehajës, tërë kjo periudhë e brishtë, u ka shërbyer strukturave paralele ilegale serbe që të shtrëngojnë radhët e tyre dhe se kjo është bërë me qëllim që situata faktike në terren, në prag të bisedimeve me Serbinë, të jetë në favor të Serbisë.
“Nëse nuk ndërmerren masa të duhura në atë pjesë të territorit, atëherë situata mund të dalë jashtë kontrollit”, thotë Qehaja për Express, i bindur se trupat amerikane do të kryejnë edhe rolin ushtarak edhe atë të sigurisë.
“Pra, ata do ta kryejnë edhe rolin e policisë, sepse nuk e di nëse Policia e EULEX-it do ta kryejë punën e vet ndonjëherë atje, kurse Policia e Kosovës, tash për tash nuk ka kapacitete ta bëjë këtë”, parashikon Ramadan Qehaja.
Ai pret që tre apo katër muajt e parë të vitit 2011 do të jenë shumë problem për shkak të ripozicionimit të trupave të KFOR-it në vend.
Por duket se më shumë optimistë është Reshat Maliqi, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, i cili ka deklaruar se brenda vitit të ardhshëm, policia që ai drejton, do të ushtrojë funksionin e saj dhe në pjesën veriore të vendit.
Në intervistë për radion “Evropa e Lirë”, Maliqi ka thënë se synimi i Policisë së Kosovës është që për gjashtë muajt e ardhshëm, të marrin sa më shumë fuqi ekzekutive nga EULEX-i, në mënyrë që edhe pjesa e Veriut të funksionojë sikurse i tërë vendi.
Në të gjitha rastet, ai tha se i ka ftuar të gjithë, sidomos kur janë vërtetuar aktivitete kriminale.“Unë do t’i sfidoj kolegët e mi dhe do ta sfidoj edhe EULEX-in dhe do të kërkoj me emër dhe mbiemër që ky person duhet të arrestohet, sepse ai nuk e meriton të shëtisë rrugëve të Mitrovicës i lirë”, tha Maliqi.
Por kreu i policisë së vendit ka mohuar se plani i tyre, ka ndonjë lidhje me paralajmërimin e komandantit të trupave amerikane të KFOR-it, për dislokim të tyre nga muaji shkurt.
“Ky është plan yni. Në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it, do të kemi patrullime të përbashkëta në ato vende ku ka popullatë të përzier dhe gradualisht do të synojmë që kompetencat e tyre t’i marrim ne”, thotë Maliqi për Express.

Megjithëkëtë, ai e lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me të gjithë ata që janë të interesuar që 15 për qind e territorit të vendit të sundohet nga ligji e rendi.

“Ne e përshëndesim çdo hap që merret për pjesën veriore dhe do ta shqyrtojmë mundësinë tonë se çka mund të bëjmë në këtë drejtim”, u shpreh Reshat Maliqi për Express.

Aktualisht, Policia e Kosovës ka rreth 7 mijë pjesëtarë të saj, të cilët në numër më të vogël janë edhe në pjesën veriore të vendit, autoriteti dhe respekti ndaj të cilëve nuk është në nivel.

KFOR

Në kuadër të 8 mijë e 454 trupave, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga KFOR-i më 7 nëntor 2010, shtetet kontribuuese, disa prej të cilave nuk janë anëtare të NATO-s janë:

Shqipëria -3, Luksemburgu -23, Bullgaria- 3, Holanda -8, Kanadaja-5, Norvegjia -5, Kroacia- 20, Polonia -152, Republika Çeke-103, Portugalia-301, Danimarka-152, Rumania-139, Estonia-1, Sllovakia-141, Franca-743, Sllovenia-331, Gjermania -1,355, Spanja-3, Greqia-711, Turqia-479, Hungaria-242, Mbretëria e Bashkuar-4, Italia-1,247
Shtetet e Bashkuara të Amerikës-810, Armenia-35, Austria-437, Finlanda-196, Irlanda-22
Maroku-210, Suedia-246, Zvicra -200, Ukraina-127.

EULEX
Komponenti i Policisë së EULEX-it është pjesë e mbështetjes së përgjithshme për autoritetet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Synimi i tyre është ta ndihmojnë atë duke monitoruar, udhëzuar dhe këshilluar Policinë e Kosovës. Komponenti i Policisë së EULEX-it ka një fuqi të përgjithshme prej 1 mijë e 400 zyrtarëve policorë ndërkombëtar, që janë të paraparë të shpërndahen në tërë Kosovën. Personeli është i strukturuar sipas detyrave të tyre përkatëse në tri departamente: Departamenti fuqizues, Departamenti i Policisë Ekzekutive, dhe Departamenti i Policisë Speciale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›