E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallkim në shugurim

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, nga Prizreni u bëri thirrje serbëve që për t’u kthyer në Kosovë, t’i drejtojnë lutjet nga Zoti. Kurse Teodosje, Peshkopi i ri për Prizren e Rashkë, në vend që t’i drejtojë lutje Zotit, foli për raportin e Dick Martyt. Ai mallkoi emrat që përmenden në këtë raport. Prizrenasit i pritën me “Mirëseardhje në Republikën e Kosovës”. Nga Nexhmije Ahmeti më 27 dhjetor 2010 në ora 08:36

Shëtitën këmbë Prizrenin. Pinë ujë te Shatërvani. Por nuk patën guxim të shkelin rregullat që ua ka vënë Qeveria e Kosovës, që të mos japin deklarata politike.

Dy ministra të Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviq dhe Ivica Daçiq shfrytëzuan një liturgji fetare që të shëtisin nëpër qytetin historik të Kosovës.

Por këtë vizitë, këta dy zyrtarë të lartë të Serbisë, kësaj here nuk e shfrytëzuan për të mbajtur fjalime politike. Ky ishte njëri ndër parakushtet që Qeveria e Kosovës ua kishte vënë atyre me rastin e dhënies së lejeve për të marrë pjesë në shugurimin e Peshkopit të Kishës Ortodokse serbe për Rashkë dhe Prizren.

Duke pirë ujë në Shatërvan, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se Prizreni është qytet i lashtë dhe pjesë e rëndësishme për historinë e Serbisë. Asnjë fjalë tjetër nuk u tha nga këta dy zyrtarë të lartë serbë.

Por atyre mund mos t’u mbetet merak pse nuk folën për diçka tjetër në Prizren.

Atë që nuk po e bëjnë politikanët serbë kur vijnë në Kosovë, e bëjnë njerëzit e fesë. Sikurse në Pejë, para disa muajsh, edhe në Prizren, klerikët përkujdesen që të flasin për politikë.

Peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë e Prizren, Teodosije, menjëherë pas shugurimit të tij, i doli kohë të flasë edhe për raportin e zviceranit Dick Marty në të cilin krerët e UÇK-së akuzohen për trafikim organesh në vitin 1999.

Madje, emrat që janë përmendur në raportin e Martyt, u mallkuan nga Teodosije.

“Ata që kanë trafikuar organe të serbëve, kanë përfituar para të majme”, tha Teodosije në kishën “Shën Gjergji” në Prizren.

Kjo është hera e parë pas 11 vjetësh, që një liturgji e tillë mbahet në Prizren, pasi që paraprakisht këto ceremoni ishin zhvilluar në Graçanicë, afër Prishtinës.

Liturgjinë e shugurimit e mbajti vetë Patriarku serb, Irinej. Ky është inauguruar në tetor të këtij viti në Patrikanën e Pejës. Edhe gjatë inaugurimit të tij, Irinej kishte mbajtur fjalime politike.

Për të, Kosova ende mbetet pjesë e Serbisë. Irinej të dielën në Prizren foli për serbët e Kosovës, e që sipas tij, kanë përjetuar dhe po përjetojnë gjëra të tmerrshme. Atyre sipas Patriarkut serb, shpresa e vetme u ka mbetur mëshira e Zotit. Ata (serbët) sipas Irinejt, duhet që t’i luten atij që t’i kthejë në shtëpitë e tyre.

“Çka na mbetet tash, motra dhe vëllezër?! Vetëm se t’i drejtohemi Zotit që të ndalen vuajtjet tona, shkatërrimi i trashëgimisë dhe të fillojmë një faqe të re të historisë sonë në Kosovë, para së gjithash që populli të kthehet pavarësisht se shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Por, kjo nuk do të ishte hera e parë që do të ktheheshim në vendin tonë dhe ta rindërtonim atë”, tha Patriarku Irinej, para më shumë se 1 mijë serbëve të ardhur edhe nga Serbia.
E gjithë ceremonia ka kaluar e qetë dhe pa incidente, ndërsa për sigurinë është përkujdesur Policia e Kosovës, të mbështetur nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

Policia njoftoi se ceremonia ka kaluar qetë dhe pa incidente. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se Policia ka përcjellë eskortat që hynë në Kosovë gjatë gjithë kohës. “Në kuadër të informacioneve që posedojmë, të gjitha ecuritë kanë kaluar në bazë të planit policor, sa i përket aspektit të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, si dhe përcjelljes së eskortës që ka hyrë në Kosovë me lejen e Qeverisë. Pra, nuk është shënuar ndonjë incident”, bëri të ditur Kelani.

Për sigurinë u përkujdesën edhe ushtarët e KFOR-it dhe Policia e EULEX-it. Kurse, në ceremoni mori pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler.
Teodosije është zgjedhur për peshkop të Dioqezës së Prizrenit dhe Rashkës në mbledhjen e rregullt të Kishës Ortodokse Serbe, në vend të peshkopit të rebeluar Artemije, i cili më vonë është degraduar në rangun e murgjve.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë konfirmuar se u kanë dhënë leje qëndrimi ministrave serbë, por me kushtin që ata t’i përmbahen agjendës dhe të qëndrojnë në Prizren për ceremoninë fetare dhe të mos e shfrytëzojnë atë për deklarata e thirrje politike.

Pjesëmarrjen në këtë ceremoni më herët e kishte paralajmëruar edhe Presidenti serb, Boris Tadiq, por ai nuk ka paraqitur kërkesë fare për vizitë, për shkak të një intervenimi kirurgjik në këmbë, si pasojë e një lëndimi.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, të dërguarit e Kishës Ortodokse ruse e greke, të Kishës Katolike, anëtarë të korit diplomatik dhe përfaqësues së organizatave ndërkombëtare të angazhuara në Kosovë, por jo edhe të autoriteteve lokale të Komunës së Prizrenit.

Muja nuk shkon në ceremoni

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja nuk ka shkuar në shugurimin e Teodosijes, edhe pse ishte i ftuar. I pari i Prizrenit ka thënë se nuk do të jetë prezent për shkak se sipas tij, serbët po i shfrytëzojnë ceremonitë fetare për të dhënë deklarata politike. Po ashtu, Muja ka refuzuar të shkojë vetë përderisa nuk është ftuar askush nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Republika e Kosovës
Disa të rinj prizrenas të dielën u kanë kujtuar serbëve nga Beogradi se tani janë në Republikën e Kosovës. “Welcome to the Republic of Kosova”, “Fuck Serbia” dhe “Fuck Dick Marty”, ka qenë parulla që disa të rinj nga Prizreni kishin vendosur për t’u uruar ‘mirëseardhje’ zyrtarëve të lartë të Serbisë. Në fakt, kjo parullë me këto mbishkrime është vendosur në kohën derisa një grup i qytetarëve serbë dhe ministri për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq dhe ministri i Religjionit, Bogolub Shijakoviq, kanë shëtitur qytetit dhe janë ndalur te Shatërvani për të pirë ujë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›