E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësi, shërbimet që nuk do të paguhen nga Instituti i Sigurimeve

Disa prej shërbimeve të cilat nuk do të jenë pjesë e skemës së rimbursimit nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor konsiderohen si "pavijonet" me një kosto relativisht të lartë.

Sipas Kujdesit Shëndetësor do të jenë 50 shërbime të cilat do të ofrohen falas për të gjithë ata që paguajnë sigurimet shëndetësore dhe kanë një librezë shëndetësore. Koston për secilin prej këtyre pesë shërbimeve do ta mbrojë Instituti, i cili do të jetë financuesi qendror i spitaleve.

Veç shërbimeve që do të paguhen nga instituti janë rreth 10 shërbime, të konsideruara të kushtueshme, të cilat nuk do të rimbursohen nga ISKSH-ja. Psikiatritë, qendrat e transfuzionit të gjakut janë disa nga shërbimet të cilat kushtojnë dhe kanë nevojë nga viti në vit për teknologji, investime, medikamente.

"Sponsor" për to do të vazhdojë të jetë Ministria e Shëndetësisë, apo fonde alternative për të cilat do të diskutohet herë pas here. Nuk përjashtohen edhe kërkesa shtesë për Ministrinë e Financave. Spitali Psikiatrik i Vlorës, Spitali Psikiatrik i Elbasanit, shërbime të shëndetit mendor në rrethe,

Shërbimi i Psikiatrisë në Shkodër, Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve,

Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit, Ofiçina Elektro-Mjekësore, si dhe Njësia e Transportit me Helikopter nuk do të jenë pjesë e skemës së rimbursimit.

Shërbimet e rimbursuara

Në listën e planifikuar nga Kujdesi Shëndetësor janë të gjitha shërbimet që jepen sot në vend, por sipas Institutit nuk është e thënë që të gjitha vendimet që janë atashuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave të jepen në një spital të caktuar. Për këtë arsye, detajimi do të vazhdojë më tej me kontratat që do të lidhen me spitalet. Kontrata do të ketë të përcaktuar vetëm atë shërbim që jep spitali dhe për atë do ta paguajë ISKSH, në momentin e kontraktimit dhe më tutje.

"Nëse do të ketë nevojë për t‘u shtuar shërbime të tjera, natyrisht do të ketë nevojë për para të tjera, e për këtë arsye do të negociohet midis nesh dhe Ministrisë së Financave nëse do të duhet që kjo paketë e shërbimeve fillestare të jetë më e zgjeruar", deklaroi pak kohë më parë drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.

Reforma e 2009-ës

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontratë me çdo spital brenda marsit dhe brenda së njëjtës periudhë, drejtori i spitalit do të lidhë kontrata me të gjithë punonjësit. Kontratat do të bazohen në shërbimet që realisht ofrohen në spitale në momentin e lidhjes së kontratës. Me vendosjen e kontratës midis ISKSH-së dhe spitaleve, do të jenë të përcaktuar saktësisht se çfarë shërbimi do të ofrojë secili spital kundrejt pacientit. Do të jenë 50 shërbime spitalore që do të financohen nga ISKSH dhe një pjesë e financimit është ndarë sipas spitalit të rrethit apo qarkut.

Ministria, nga ana tjetër, do të jetë politikëbërëse dhe katalizatori mes legjislacionit, zbatimit në praktikë apo menaxhimit të kërkesave dhe fondeve që i nevojitet shëndetësisë në vazhdimësi.

Lista e institucioneve që nuk

do të financohen nga ISKSH

1. Spitali Psikiatrik i Vlorës

2. Spitali Psikiatrik i Elbasanit

3. Shërbime të shëndetit mendor në rrethe

4. Shërbimi i Psikiatrisë i Shkodrës

5. Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve

6. Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit

7. Ofiçina Elektro-Mjekësore

8. Njësia e Transportit me Helikopterë

Buxheti i Financave

Fondi për sigurime, paga, mallra dhe shërbime

Ndarja e buxhetit për çdo spital për vitin 2009 është bërë me vendim qeverie, ku janë të përcaktuara zërat në paga, sigurime dhe mallra e shërbime. Po sipas këtij vendimi, kalimi i buxhetit do të bëhet nëpërmjet llogarisë së thesarit të Ministrisë së Financave. Kjo do të thotë se lëvrimi i fondeve do të bëhet nga Ministria e Financave për dhënien e pagave, sigurimeve dhe mallrave e shërbimeve. Sipas vendimit të qeverisë, spitali do të zbatojë sistemin e referimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila do të jetë gjithashtu përgjegjëse për investimet në spitale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›