E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama viziton varfërinë e Babrrusë

Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ka vizituar dje familjen e Osman dhe Bahrije Dalipit, banues në Babrru të Tiranës, Komuna e Paskuqanit. Familja e Osmanit ka ardhur në vitin 1993 nga Klosi (Mat) dhe e ka ndërtuar jetën e saj modeste mes një papunësie e vështirësish të mëdha ekonomike që ofron jeta e përditshme në zonat informale të kryeqytetit. Kryebashkiaku Rama ka kaluar disa orë me pjesëtarët e kësaj familjeje, e cila është e përbërë nga shtatë anëtarë, nga të cilët i vetmi që siguron të ardhurat për mbijetesë është kryefamiljari, Osman Dalipi. Rama drekoi e njëkohësisht u njoh nga afër me gjendjen dhe pamundësitë ekonomike sociale, që kjo familje e qindra të tjera të ardhura nga zona të Shqipërisë përballen çdo ditë të jetës së tyre të vështirë. Kryebashkiaku është ndalur në problemin e integrimit të këtyre zonave informale, duke u njohur me vështirësitë dhe sakrificat e bashkëjetesës në këto lagje, problemin e papunësisë, mungesën e arsimit, mungesën e dritave, ujit. "Problemi i shtëpive në këto zona informale është zgjidhur nga vetë ju që keni sakrifikuar në mënyrë që nganjëherë është vështirë ta tregosh. Problemi i madh është problemi i bashkëjetesës në këto lagje, në këto zona ku mungojnë rrugët, kanalizimet, ujësjellësit, ku s‘ka drita, ku s‘ka çerdhe, kopshte, shkolla dhe të gjitha këto duhet të marrin zgjidhje për të bërë integrimin e këtyre zonave me zonat ekzistuese të qyteteve", u shpreh kryebashkiaku. Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me familjen e Osmanit, vuri theksin në domosdoshmërinë e shkollimit dhe edukimit të brezit të ri, si një mundësi për të pasur nesër një jetesë më të mirë. "Prioriteti kryesor është shkolla për t‘i krijuar mundësinë çdo fëmije që të ketë libra, klasa, mësues. Ka plot familje shqiptare që nuk arrijnë dot të blejnë libra, ka plot pjesë të Shqipërisë ku ka klasa ku nuk bëhet dot mësim, një mësues, vite të ndryshme në një klasë. Ajo që është absolutisht e domosdoshme është që në këto zona rreth Tiranës, rreth qyteteve ku nga sakrificat janë ndërtuar këto shtëpi, janë ndërtuar këto jetë, brenda këtyre shtëpive, të ketë edhe jashtë shtëpive jetë për qytetarët. Ndryshe jemi akoma në mesjetë, sepse pa këto shërbimeve të tjera është krejtësisht e pamundur". Po ashtu, një nga problemet shqetësuese jo vetëm të kësaj familjeje, por edhe të një pjese të konsiderueshme të mbarë familjeve shqiptare mbetet papunësia, mungesa e një pune stabël dhe të përditshme, e cila sipas kryefamiljarit Dalipi është: "Një ditë pa punë baras një ditë pa bukë". "Ka një rritje të madhe të papunësisë, por duhet luftuar për sot dhe për nesër dhe përgjigjja për papunësinë nesër, që është kërcënimi më i madh është shkollimi i fëmijëve, të rejave dhe të rinjve, shkollimi profesional. Shkollat e zanatit duhet të shtohen shumë në Shqipëri, në mënyrë që njerëzit të marrin zanat e të punojnë, se kështu si erdhi puna, pa zanat e pa punë, vështirësitë janë kolosale dhe pastaj është ajo që thoni ju që s‘paguhet as fatura e energjisë. Shpresa vdes e fundit, por mbi të gjitha ne vetë duhet të kemi mundësinë t‘i japim shpresës krahë, që ta bëjmë realitet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›