Fillon shkolla, Tirana zhytet në kaosin e trafikut

Nisja e shkollave 9-vjeçare si dhe atyre të mesme, ka rikthyer stresin e trafikut në Tiranë. Kështu rrugëve të bllokuara si dhe devijimi në disa prej tyre, tashmë i shtohet edhe një tjetër problem, qarkullimi i automjeteve të shumta si në orët e para të mëngjesit, ashtu edhe në orët e pasdites.
Akset kryesore më të bllokuara mbeten qendra e Tiranës, rruga “Abdi Toptani”, rruga e “Elbasanit”, rruga në afërsi të Bankës së Shqipërisë, kryqëzimi “21 dhjetorit” si dhe rruga e trenit. Kështu, për të qarkulluar në Tiranë dhe për të arritur në destinacionin e duhur, duhet me patjetër të llogarisësh edhe kohën e qëndrimit në trafik. Kështu, nisja e vitit të ri shkollor, gëzimin e nxënësve e sfumon trafiku në kryeqytet, pasi edhe atyre do t`u duhet të ngrihen herët në mëngjesë për të mbërritur në orën 8.00 në godinat e tyre shkollore.
Ndërsa, nga ana tjetër edhe pse Policia Rrugore ka marrë një sërë masash, si shtim të punonjësve të policisë në çdo kryqëzim për të normalizuar trafikun, rrugët e ngushta si dhe bllokimi i qendrës në Sheshin “Skënderbej”, e cila është arteria kryesore e Tiranës, sërisht sjell trafik në kryeqytet.