Drejtësi e mohuar për viktimat e 10 shkurtit
“Amnesty International”
Organizata ndërkombëtare fajëson UNMIK-un për vonesën e nxjerrjes para drejtësisë së autorëve të vrasjeve dhe plagosjeve gjatë protestës së 2007-ës
Organizata e njohur ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Amnesty International” (AI), ka shprehur shqetësimin për vonesën për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjet e paligjshme dhe plagosjet gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007. Në trevjetorin e vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit në protestën e organizuar nga lëvizja “Vetëvendosje”, ku mbetën të plagosur edhe Zenel Zeneli e Mustafë Nerjovaj, ai i ka bërë thirrje përfaqësuesit special të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të sigurojë që familjeve të viktimave t’u mundësohet vënia e drejtësisë, duke lejuar që ankesat e tyre të dëgjohen nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (PKDNJ). “Amnesty International” vëren me shqetësim, se duket që gjithnjë e më shumë se ata që janë përgjegjës për vrasjet e paligjshme dhe lëndimet e rënda nuk po japin llogari, ndërkohë që as familjet e viktimave dhe të plagosurit nuk po dëmshpërblehen. Nga ana tjetër, organizata vë në dukje që procedurat penale janë rihapur kundër Albin Kurtit, i ngarkuar me organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratën e “Vetëvendosjes”. Përmes një komunikatë, “Amnesty International” thekson se është thellë i shqetësuar, se viktimave të asaj dite ende nuk i është dhënë qasja në drejtësi, ndërsa vlerëson se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. “Kanë kaluar tashmë tre vjet qëkur familjet Balaj dhe Xheladini kanë humbur djemtë e tyre në rrethana tragjike, dhe Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj u plagosën. “Amnesty International”
konsideron se dhembjet dhe vuajtjet e tyre ka qenë zgjatur padrejtësisht si rezultat i dështimit të UNMIK-ut, për të lejuar atyre qasje për një kompensim më efektiv”, thuhet në komunikatë. Një ankesë kundër UNMIK-ut është bërë nga Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj dhe prindërit e dy viktimave te Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (PKDNJ), më 19 mars 2008. Por sipas “Amnesty International”, PKDNJ nuk ka kompetenca për të filluar një hetim penal, por mund t’i rekomandojë UNMIK-ut që të iniciohet një hetim i tillë.
“Vetëvendosja” përkujton të vrarët e 10 shkurtit
Aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje” do të përkujtojnë sot protestën e përgjakshme të 10 shkurtit të vitit 2007, kur humbën jetën dy protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Tre vjet më pas, në nderim të viktimave të rëna, lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar se do të bëjnë homazhe te varret e Mon Balajt në Podujevë dhe Arben Xheladinit në Prishtinë. Po ashtu, në këtë ditë do të vendosen lule te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, kurse në kinemanë “ABC” dhe do të shfaqet filmi “10 Shkurti”. Ndërkaq, në orët e mbrëmjes është paralajmëruar mbajtja e një akademie përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. “EULEX-it nuk i interesojnë strukturat paralele të Serbisë, por lëvizja “Vetëvendosja”. Nuk i interesojnë politikanët e korruptuar, me të cilët bashkëpunon, por Albin Kurti. EULEX-i nuk ka hapur proces të ri gjyqësor për Albin Kurtin, as nuk e ka riformuluar procesin ekzistues të UNMIK-ut; EULEX-i e ka rifilluar atë”, tha një nga anëtarët e lëvizjes.
Ivanoviç: Serbia s’e njeh GND-në
Sekretari Shtetëror në Ministrinë për Kosovës në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, deklaroi dje, se zyrtarët serbë e refuzojnë planin për integrimin e veriut të Kosovës, duke e konsideruar se është i rrezikshëm për stabilitetin rajonal. Duke folur për mediat serbe, ai tha se Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Faith, e mbështesin këtë plan, me qëllim që të zbatohet Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit. Edhe nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliç, ka theksuar se për Serbinë konkluzionet e GND-së janë të pavlefshme. Ivanoviç tha se Serbia e konsideron GND-në grup jolegal dhe me këtë fakt vendimet e tij janë të pavlefshme. Grupi Ndërkombëtar Drejtues, i përbërë nga 25 vende që e kanë njohur dhe përkrahur pavarësinë e Kosovës, pas takimit të së hënës në Vjenë doli me disa konkluzione për Kosovën. Ky grup u ka dhënë mbështetje angazhimeve të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës në përpjekjet për të vendosur sundimin e ligjit në veri të vendit. GND-ja e ka cilësuar si sfidë kryesore integrimin e të gjitha komuniteteve, sidomos atij serb. “GND-ja mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës, duke marrë parasysh rekomandimet e ICO-së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit”, është thënë në konkluzione. Gjithashtu, u është bërë thirrje të gjitha palëve, përfshirë edhe Serbinë, që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces jetik, për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës.
Fuere paralajmëron tensione
Mungesa e datës së negociatave shkakton probleme
Nëse anulohet përcaktimi i datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian, do të ketë potencial për tensione ndëretnike. Kështu ka deklaruar për të përditshmen austriake “Standard” përfaqësuesi i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere. “Nëse zgjidhja edhe më tutje zvarritet në kohë, atëherë kjo sigurisht që mund të rezultojë me një potencial që shpie drejt tensioneve ndëretnike”, deklaroi Fuere. Diplomati europian paralajmëron se te qytetarët e Maqedonisë mbretëron dëshpërimi, për shkak se edhe përkundër vlerësimeve pozitive të Komisionit Europian, Maqedonia nuk ka marrë datën për fillimin e negociatave, për shkak të kontestit për emër me Greqinë. “Sa më shumë që të kalojë koha, aq më vështirë do të jetë që të ruhet fryma e reformave në Maqedoni”, i tha Fuere gazetës austriake, duke nënvizuar se, megjithatë, ai nuk dëshiron të flas për çfarëdo date eventuale për fillimin e negociatave me BE. Ambasadori Fuere ndërkohë e përshëndeti komunikimin e shpeshtuar mes krerëve shtetëror maqedonas dhe grekë, ngase kjo gjë, sipas tij, mund të rezultojë me një zgjidhje konsensusi. Gazeta vjeneze radhit edhe një retrospektivë të shkurtër të rrugëtimit të Maqedonisë drejt integrimeve euroatlantike. “Standard” përkujton se Maqedonia statusin e kandidatit për anëtarësim në BE e ka marrë që në vitin 2005, megjithëse pas kësaj hyrja e saj në NATO u bllokua nga Greqia në vitin 2008, ndërkohë që në fund të vitit të kaluar asaj nuk iu përcaktua as data për fillimin e negociatave për anëtarësim në Union.