E Diel, 1 Nëntor 2026

Film porno në orën e gjeografisë



Leka NDOJA

Për Teutën, mësuesen e gjeografisë, Kici thoshte se nuk ishte veçse një praktikante, ndërsa universitetin e vazhdonte natën. Kur shpjegonte hartat, përdorte një stekë konike druni të lyeme me llak, por fundi gjithsesi i ngjitej katër gisht mbi gju, nga i dukeshin format befasuese të kofshëve, që Kici me Pellën ia shihnin me sy të ethshëm.
Shqipja, që Kici e thërriste None (sepse ishte dy vjet më e madhe, pasi kishte ngelë dy herë në klasë), thosh se ajo përdorte makinë për heqjen e qimeve nga pulpat, mbasi lart i dukej një push i verdhë, që Kici e tepronte kur thosh se e kishte si tel siguresash. Në orën e gjeografisë, Antoni ulej në bankën e parë pranë Nonës, e cila kthehej pas me kukurizma nga Kici me Pellën, kur praktikantes i dukeshin kofshët. Vendi poshtë bankave ishte i ngushtë dhe mjaftonte një tronditje që çantat të binin poshtë.
Pasi shpjegonte hartën, praktikantja mbështetej në këtë bankë dhe pyeste për mësimin, fare pranë fytyrës së Antonit e Nonës.
-Shiko çfarë ka veshë sot, - pëshperiste Nona, - bluzë të tejdukshme. Shih, shih, si topa babingtoni i duken!
-Shalët duhet t’i ketë gjithë lesh, - ia priti Kici nga prapa, mandej i ra Antonit me bërryl në shpinë.
Banka lëvizi dhe çantat ranë përtokë.
U ulën me Nonën poshtë bankës dhe u gjendën kokë më kokë, ndërsa ajo fliste për zbulimet gjeografike të Levingstonit. Kambët e praktikantes, të hapura pakëz, ishin ngjitë pas syprinës dhe i lëvizte ngapak, si t’i kish hypë një biçikletë të fizioterapisë. Kici gati sa nuk i preku me dorë, kaq të afërta iu duken. Ajo vishte çorapë të holla fare dhe lëshonte një erë parfumi përzie me erën e lëkurës.
Ndërmjet librave të shpërhapun përtokë, si ta kishte hedhë dreqi, një nga pasqyrat që pati marrë në punishten e Ermës, ndriti poshtë kambëve të praktikantes që vijonte të fliste mbi Deltën pjellore të Nilit.
Zgjati dorën. Për një hop ndërroi mendje dhe e tërhoqi prapë. Nona kafshonte buzën për të mos e lëvizë atë copë pasqyre nga ai pozicion ku, gjithçka lart, dukesh tepsi.
Pikërisht ashtu sipas përfytyrimit të tij, kambët e praktikantes reflektonin mbi sipërfaqen e nitratit të argjendit nën xham, ngjiteshin drejt dhe bashkoheshin në fund në një sfond rrezëllitës.
Së fundi, zgjati dorën i vendosur për ta marrë atë copë xham, që i dukej si vegël e xhindit, sepse e nomatisi, aq sa nisi të mos dëgjohej timbri i praktikantes nga gumëzhima e Kicit dhe Pellës, që ishin përkulë gjithë kureshtje për shalët me qimet si tel.
Aty për aty, nuk ishin në gjendje të kuptonin nëse i pikasi praktikantja apo jo, sepse ajo fliste ende për pjellorinë e Deltës së Nilit.
Pyetjes për fushat pjellore në Shqipëri, iu përgjigj edhe Kici, që ende kishte në gojë dhambët e qumështit. Ai thosh se Myzeqeja ishte tokë po aq pjellore sa brigjet anë Nilit, vetëm se këtu jetonin lalët dhe atje egjiptianët.
Ndonëse e rrezikshme, aty poshtë bankës i pëlqeu kjo lojë. Kishte parandjenjën e fajit apo të zhgënjmit, që ai ngazëllim kolektiv do t’i shkarkohej vetëm atij.
-Çohu ti Anton, edhe ti Kici. Dilni përpara klasës. Ktheni kokën këtej. Ne i dimë të gjitha. Pse i dimë? I dimë se i njohim të gjithë. E prishët mësimin dje, hë?! - pyeste Gorgona e historisë me ton tallës. - Mësuesja e gjeografisë është e re dhe ju u treguat ashtu siç ju dinim: fëmijë të këqij. Të këqij? Punën e armikut bëni.
-ǒna gërvishti bythën me punën e atij mikut, - i pëshpëriti në vesh Kici, ashtu me kryet ulë para të gjithëve.
-ǒështë ajo lojë, jua kanë mësuar në shtëpi?! Pse, film porno është ora e gjeografisë?! - vijonte Gorgona me atë tingull metalik, që të rrëqethte trupin.
“Po dhe ne hartë pamë, - vazhdonte pëshpëshin Kici, - kufijtë gjeografikë pas shalëve pamë, tamam hartë memece. E pamë me shkallën një me nji.”
Antoni nuk i përgjigjej fare, vetëm se një nyje gazi i kishte ngecë pas një sforcimi të lartë që të mos shpërthente.
-Ti e di fort mirë se kush je!
Pa se po i drejtohej pikërisht atij me gishtin kërcënues dhe u habit pakëz.
-Të mbajtëm këtu për hatër të Mirikës, pse e kemi kolege. E ti na e shpërblen me lojën e pasqyrave. Kush na e bëka ligjin këtu?! Këtu mësohet sipër bankës dhe jo poshtë bankës. Mësuese Teuta nuk është praktikante, siç e keni përhapur fjalën ju. Ajo vazhdon universitetin me korrespondencë.
Por si për çudi, në vend të stemës së universitetit, mësuesja Teutë mbante në jakë stemën e Partisë.
U panë të dy me një lloj dyshimi zhbirues. Dikush do ta kishte kallëzue atë mesele, derisa erdhi puna ta padisnin kaq haptë. Sytë nuk i ngrinte dot. Desh të shikonte se ndoshta gjente sytë e gojën spiune, por Gorgona fliste herë pas here dhe u thosh të dyve: këtu mendjen!
-Edhe në orën time sajon pyetje që s’i ka libri i historisë!
Pastaj kujtoi sesi, ashtu siç pa atë sendin rrezëllitës, aty poshtë njëherë iu pa edhe ajo figura gjeometrike e kryqit, që e tërbonte Gorgonën.
-Sajon lloj-lloj profkash, kinse pyet edhe për gjëra si kryqi që s’e përmban historia, bukur fort, besa!
Në fund, në krah të praktikantes, Gorgona u dha ultimatum të dyve me stilin e saj ushtarak, por kuptohej se kësaj radhe nuk ishte shaka, ajo kërkonte me ngulm që, për këto thyerje të disiplinës – siç tha vetë, të takohej me familjen.
Dhe mandej shtoi:
-Shko gjej tët ungj që të ta sqarojë latinisht shenjën e kryqit e kryqëzimin e kripës. Për pasqyrat, sill nënën të enjten!
Nuk e kuptonte se cili ishte faji i vërtetë i tij, pyetjet rreth kryqit e kryqëzimit apo shikimi me pasqyrë i shalëve të praktikantes, që mbante në jakë stemën e Partisë.
Sa për Kicin, Kici shpëtoi pa u lagë.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›